Tech

YouTube do t’i largojë të gjitha videot të cilat shpërndajnë dezinformata për vaksinat

Descriptive Text

YouTube do t’i largojë nga platforma e saj të gjitha videot të cilat shpërndajnë dezinformata lidhur me të gjitha vaksinat e aprovuara, jo vetëm të atyre që kanë për qëllim parandalimin e COVID-19, ka bërë të ditur kompania të mërkurën.

Përmes një qëndrimi të lëshuar për CNN Business, YouTube po ashtu ka konfirmuar se do t’i largojë kanalet e “disa prej shpërndarësve të njohur lidhur me dezinformatat për vaksina”.

“Përdoruesit të cilët postojnë dezinformata rreth ndonjë prej vaksinave të cilat po administrohen aktualisht, dhe të cilat janë të aprovuara dhe të konfirmuara si të sigurta dhe efektive nga autoritetet e shëndetit lokal dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, do tu largohen videot, dhe do të jenë subjekt i politikave të YouTube”, ka bërë të ditur kompania.

Sipas YouTube-it kjo përfshin edhe përmbajtjet të cilat në mënyrë të rreme deklarojnë se vaksinat e aprovuara shkaktojnë autizëm, kancer apo infertilitet.

Vendimi i platformës së videove vjen pak pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa shtete të tjera nëpër botë, kanë luftuar për të ndaluar dezinformatat, për të cilat ekspertët thonë se po kontribuojnë në hezitimin e njerëzve për të marrë vaksinën anti-COVID.

Niveli global i vaksinimit ditor kundër koronavirusit ka rënë dukshëm dhe aktualisht në tërë botën administrohen rreth 26 milionë doza në ditë.