Tech

Twitteri bashkon forcat me AP-në e Reutersin kundër dezinformatave

Gjiganti Twitter do ta fillojë bashkëpunimin me dy prej prodhuesve më të mëdhenj ndërkombëtarë të lajmeve, Reuters dhe Associated Press, për t’i zbuluar dezinformatat në rrjetin e tij të mesazheve.

Agjencitë e lajmeve do ta ndihmojnë Twitterin me më shumë të dhëna lidhur me kontekstin dhe sfondin e ngjarjeve që krijojnë një vëllim të lartë të postimeve. Twitter shpreson se kjo do ta kundërsulmojë përhapjen e informacioneve të rreme, ka shkruar Associated Press.

Ka pasur presion të madh për t’i hequr përmbajtjet e rreme nga platforma. Twitter ka bërë të ditur se partneriteti do t’i mundësojë që të sigurohet se informacioni i saktë dhe i besueshëm është në dispozicion me shpejtësi të madhe “kur faktet janë në pyetje”.

“Në vend që të presë derisa diçka të bëhet virale, Twitter do ta kontekstualizojë zhvillimin e diskursit përderisa ndodh biseda publike”, ka njoftuar gjiganti teknologjik.

Aktualisht, kur në Twitter ndodhin biseda të shumta ose me shpejtësi të madhe që mund të jenë të rëndësishme ose të diskutueshme, ekipi kurator i Twitterit e gjen dhe e promovon kontekstin përkatës nga burime të besueshme, në mënyrë që t’i kundërshtojë informacionet potencialisht çorientuese të postuara nga përdoruesit, ka njoftuar kompania për agjencinë e lajmeve AP.

Në një postim në blog, Twitter ka shkruar se programi i ri do t’i “rrisë shkallën dhe shpejtësinë” e kësaj pune, duke e rritur “kapacitetin për të shtuar kontekst të besueshëm në bisedat që ndodhin në Twitter”.

Në postim thuhet se materialet nga Reutersi dhe AP-ja do ta përmirësojnë besueshmërinë e informacionit në platformë, kur ekipi kurator i Twitterit “nuk e ka ekspertizën specifike ose qasje në një vëllim mjaft të madh të raportimeve me reputacion në Twitter”.

Është kjo hera e parë që Twitteri ka bashkëpunuar zyrtarisht me organizatat e lajmeve për të promovuar informacione të sakta në platformën e tij, sipas një zëdhënësi nga kompania e mediave sociale.

Në fillim të këtij viti Twitter ka lansuar Birdwatch, një sistem i ri i moderimit të komunitetit, i cili ua mundësoi vullnetarëve t’i etiketojnë postimet që u duken të pasakta. Twitteri do të punojë veçmas me dy agjencitë rivale të lajmeve dhe do të përqendrohet fillimisht në përmbajtjen në gjuhën angleze.

Hazel Baker, kreu i grumbullimit të lajmeve të krijuara nga përdoruesit në Reuters, ka thënë se besimi, saktësia dhe paanësia ishin në “epiqendrën e asaj që bën Reutersi çdo ditë” dhe “nxiti” angazhimin e kompanisë për ta ndaluar përhapjen e dezinformatave.

Tom Januszewski, nënkryetar i AP-së për zhvillimin global të biznesit, ka thënë në një deklaratë se kompania e lajmeve kishte “histori të gjatë bashkëpunimi të ngushtë me Twitterin, së bashku me platformat e tjera, për ta zgjeruar shtrirjen e gazetarisë faktike”.

“Jemi shumë të emocionuar për t’i shfrytëzuar shkallën dhe shpejtësinë e AP-së për ta shtuar kontekstin në bisedat në internet, të cilat mund të përfitojnë nga qasja e lehtë në fakte”, ka vazhduar ai.

Si Reutersi ashtu edhe AP-ja punojnë gjithashtu me Facebookun në verifikimin e fakteve.

Twitteri ka shtuar se kjo punë do të jetë e ndarë nga puna që ekipet e saj të “Trust & Safety” bëjnë për të përcaktuar nëse postimet janë në kundërshtim me rregullat e Twitterit.

Puna e këtyre ekipeve përfshin etiketimin e postimeve që përmbajnë media të manipuluara, dezinformata elektorale dhe media të ndjeshme që shkelin rregullat e platformave. Një raport i vitit 2020 nga “NYU Stern” ka sugjeruar që Twitter ka rreth 1.500 moderatorë - me 199 milionë përdorues të përditshëm të Twitterit në të gjithë botën.