Tech

Trumpi do të ngrejë padi ndaj themeluesve të Facebookut dhe Twitterit

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ishte përjashtuar nga Facebooku, Twitteri dhe platformat e tjera online në fillim të këtij viti, po planifikon që të ngrejë padi kundër themeluesit të Facebookut, Mark Zuckerberg, dhe atij të Twitterit, Jack Dorsey.

Trumpi parashihet që ta shpallë njoftimin e padisë të mërkurën, në një konferencë për media, ka bërë të ditur Associated Press.

Më 8 janar të këtij viti, dy ditë pas trazirave në Kongresin amerikan, Twitteri kishte ndërmarrë hapin e paprecedentë, duke e përjashtuar përgjithmonë nga platforma, presidentin e atëhershëm Donald Trump.

Edhe Facebooku e kishte bërë të njëjtën gjë, duke deklaruar se ndalesa ndaj Trumpit në këtë platformë do të zgjaste të paktën deri në fund të presidencës së tij. Kompania më pas e kishte dërguar rastin në Bordin Mbikëqyrës, për të vendosur nëse ndalesa duhet të bëhet e përhershme.

Në maj të këtij viti, Bordi kishte mbështetur vendimin e kompanisë për të bllokuar qasjen e Trumpit në platformë, por kishte deklaruar se një ndalesë e padefinuar nuk ishte e përshtatshme dhe kështu i kishte dhënë afat kompanisë gjashtë muaj që të sqaronte ndëshkimin.

Facebooku tek muajin e kaluar ka njoftuar se ndalesa do të vlejë deri në vitin 2023, kur vendimi do të rishqyrtohet.