Tech

Ndikuesve të mëdhenj në rrjete sociale iu kërkua të njollosin “Pfizerin”

Njerëz me ndikim të madh në rrjetet sociale në Francë kanë thënë se një agjenci misterioze marketingu u ka ofruar t’i paguante nëse pajtohen ta njollosin vaksinën e “Pfizerit” kundër COVID-19 përmes të rreme negative.

YouTuberi francez Léo Grasset ishte një nga ata që thotë se është kontaktuar.

Ai ka thënë për “Associated Press” se i është ofruar një marrëveshje e majme, por e fshehtë, me qëllimin që ai të bëjë deklarata të rreme se kinse vaksina e “Pfizerit” paraqet rrezik vdekjeprurës dhe se rregulluesit dhe mediat e mëdha janë duke i mbuluar rreziqet e supozuara.

Grasset, i cili ka 1.1 milion ndjekës në Youtube, ka thënë se e ka refuzuar ofertën.

Ndikues të tjerë në Francë me audiencë të madhe në Twitter, Instagram dhe platforma të tjera gjithashtu kanë thënë se janë kontaktuar me oferta të ngjashme për postime me pagesë.

Personi i cili e ka kontaktuar Grassetin e ka prezantuar veten si Antoni dhe ka thënë se agjencia e tij e ka një buxhet “të konsiderueshëm” për një “fushatë informuese” për, siç e ka përshkruar ai, COVID-19 dhe vaksinat që i janë ofruar popullatës evropiane, sidomos “AstraZenecan” dhe “Pfizerin”.

Specifikisht, Antoni e kishte kërkuar një video 45-60-sekondëshe në Instagram, TikTok, ose Youtube në të cilën Grassetit i kërkohej të thoshte se “shkalla e vdekshmërisë e vaksinës ‘Pfizer’ është 3 herë më e lartë se ajo e ‘Astrazenecas’” dhe duke pyetur se pse po e blen këtë vaksinë Bashkimi Evropian.

“Ky është një monopol dhe po i shkakton dëm shëndetit publik”, ka thënë personi që kishte telefonuar Grassetin.

Në një email të dytë, ai refuzoi të tregojë se kush është duke e financuar fushatën e informatave të rreme, duke thënë “se klienti preferon të mbetet anonim”.

Grasset i ka ndarë emailet e shkëmbyera me “Associated Press”.

Përpjekja e njollosjes tërhoqi një përgjigje nënçmuese nga Ministri i Shëndetësisë në Francë, Olivier Veran, i cili e quajti patetike, të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.

Personi i cili e kontaktoi Grassetin i ka thënë se punon për një agjenci të marketingut të quajtur “Fazze”. Një uebfaqe për agjencinë “Fazze” më herët e kishte dhënë një adresë në Londër, por kjo ishte hequr nga faqja të martën. Agjencia shtetërore ku regjistrohen firmat britanike, nuk ka asnjë regjistrim të kësaj kompanie.

Emailet e Antonit përfshinin një vegëz të mbrojtur me fjalëkalim që hapte një set udhëzimesh në gjuhën angleze me plot gabime drejtshkrimore për fushatën që pritej të ndërmerrej. Ajo thoshte se ndikuesit që pranojnë të marrin pjesë nuk duhet të thonë se janë të sponsorizuar dhe në vend të kësaj duhet ta “prezantoni materialin si mendim të pavarur”. Udhëzimet e tjera ishin se influencerët duhet të thonë se “mediat e mëdha e injorojnë këtë aspekt” dhe duhet të pyesin pse qeveritë janë duke e blerë “Pfizerin”.

Një mjek praktikant në Francën e jugut me dhjetëra mijëra ndjekës të cilin gjithashtu e kanë kontaktuar për fushatën e njollosjes i ka treguar transmetuesit francez BFMTV se i janë ofruar më shumë se 2,000 euro për një video 30-sekondëshe.

Grasset u shpreh se duke marrë parasysh numrin e madh të ndjekësve të tij në Youtube, potencialisht do të kishte fituar dhjetëra mijëra euro nëse kishte pranuar të merrte pjesë. Por në vend të kësaj, ai iu përgjigj ofertës duke thënë se “nuk mund të punonte për një klient që refuzon ta japë emrin e tij dhe që kërkon ta fshehë partneritetin”.

“Kishte shumë shenja të rrezikut”, ka thënë Grasset në një intervistë me AP. “Ata donin që unë të flas për vaksinën ‘Pfizer’ në një mënyrë që do ta dëmtonte reputacionin saj”, ka vazhduar ai.

Ai ka thënë se përpjekja e shpërndarjes së informatave të rreme tregon sa e rëndësishme është që njerëzit të jenë “super, super të kujdesshëm” në lidhje me gjërat që shohin online. “Ne kreatorët në Youtube, internet, Instagram, etj., jemi në mesin e një gjëje që është duke ndodhur sikur luftë informacioni” ka thënë ai. “Ne, si kreatorë, duhet t’i kemi standardet shumë të larta sepse kjo është, sipas meje, vetëm fillimi.”