Tech

“Bateritë e komunitetit”, alternativa për kursimin e energjinë solare

Në atë që mund të konsiderohet si gjëja që tërheq më së shumti vëmendje në botën e baterive qëkur Elon Musku ka ndërtuar baterinë gjigante në Australinë Jugore, Partia Laburiste e këtij shteti ka njoftuar se po qe se i fiton zgjedhjet e ardhshme do të përqendrohet në mbulimin e shpenzimeve për instalimin e qindra “baterive të komunitetit” kudo përreth vendit.

Por çfarë janë “bateritë e komunitetit” dhe si funksionojnë ato?

Llojet e baterive që përdoren për ta mbështetur rrjetin elektrik janë në forma dhe madhësi të ndryshme. Ekzistojnë të tilla që përdoren për ta mbështetur gjeneratën e elektricitetit, si bateria e madhe e Elon Muskut në Hornsdale të Australisë Jugore, e cila përdoret si mbështetëse e frekuencave.

Ekzistojnë edhe bateri të madhësisë së mesme që përdoren në zonat rurale për t’i izoluar rrjetet dhe për të siguruar energji përkrahëse në rast të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike. Ka gjithashtu edhe bateri të vogla të komunitetit që mund të vendosen përreth qyteteve dhe të ndahen mes amvisërive, veçanërisht në lagje apo rrugë. Në këtë lloj po përqendrohet propozimi i partisë laburiste. Ideja bazike e këtyre baterive të komunitetit është që amvisërive t’u mundësohet prodhimi i energjisë së tyre solare për ta mbledhur elektricitetin në depot e ndara për përdorim të mëvonshëm.

Pse nevojiten?

Në Australi, çdo e gjashta amvisëri është me energji solare, por vetëm një në 60 kanë depo të baterisë. Për shtëpitë, bateritë e komunitetit janë mënyrë e mirë për uljen e shpenzimeve, pavarësisht shpenzimeve dhe rreziqeve nga instalimi.

Për drejtuesit e rrjetit elektrik, këto bateri janë jashtëzakonisht të dobishme. Nga perspektiva e rrjetit, në vend se të hiqen kabllot ekzistuese dhe të instalohen të tjerat më të mëdha për t’i përballuar telashet rreth kërkesave të shtuara, bateritë janë më të lira dhe më efektive. Ato ndihmojnë gjithashtu në trajtimin më të lehtë të problemeve me tension dhe kapacitet që mund të krijohen nga përqendrimi i dritareve solare në kulm.

Si funksionojnë?

Në parim, këto bateri veprojnë si një lloj Dropboxi, por për elektricitet – përderisa ideja ende është duke u zhvilluar nëpërmjet një sërë pilot-programesh, specifikat precize kanë tendencë që ta bëjnë dallimin.

Forca e tyre sillet nga 100kW deri në 1MW dhe mund ta kenë madhësinë e frigoriferit.

Sipas planit, secilës shtëpi i ofrohet një sasi e caktuar e depos, pra përderisa energjia prodhohet gjatë ditës, një pjesë e energjisë shtesë ruhet. Gjatë kohës së kërkesave më të mëdha, kjo energji mund të ruhet për t’i furnizuar shtëpitë gjatë natës apo për ta mbështetur rrjetin. Ka pasur edhe propozime për t’i përdorur këto bateri në të njëjtën mënyrë edhe në vetura elektrike, por përparësia e baterisë së komunitetit është se si përdoruesit ashtu edhe ata që e udhëheqin rrjetin e dinë saktësisht se ku do të jetë në çfarëdo kohe.

Aktualisht po bëhen disa testime nëpër tërë vendin. Në mesin e njërit prej testimeve më të spikatura është ajo nga projekti “Energjia dhe Sinergjia Perëndimore” në perëndim të Australisë, ku prova ka mbërritur në fazën e tretë në fund të vitit të kaluar.

Në lindje të Uellsit të Ri Jugor, “Ausgrid” ka filluar pilotprogramin mes 600 amvisërive në zonën bregdetare të Sidnejit.

Sa do të kushtojë nëse përdoren?

Agjencia australiane për Energji të Ripërtëritshme së fundmi ka angazhuar disa studiues nga programi i integrimit dhe depos së baterisë në Universitetin Kombëtar të Australisë për ta hulumtuar të ardhmen financiare të projektit të baterive të komunitetit.

Lachlan Blackhall, udhëheqës i ekipit, ka bërë të ditur se nuk është e mundur që shpenzimet të llogariten me saktësi, pasi që teknologjia është ende duke u zhvilluar, bashkë me modelet shoqëruese afariste.

Po qe se partia laburiste del fituese në zgjedhje, është zotuar se do të shpenzojë mbi 200 milionë dollarë për të instaluar 400 bateri të këtilla të komunitetit nëpër të paktën 100.000 shtëpi në vend. Partia pas kësaj do t’i trimërojë qytetarët që të investojnë në panelë solarë.