Tech

Microsofti mbështet Australinë për ta shtyrë Googlen të paguajë për lajmet

Kompania teknologjike Microsoft ka dhënë mbështetjen për planet e Australisë për t'i bërë platformat më të mëdha digjitale që operojnë në vend të paguajnë për lajmet.

Kompania e teknologjisë njoftoi gjithashtu se do të ndihmojë bizneset e vogla për të transferuar reklamat e tyre në Bing (konkurrent i Google), nëse Google heq shërbimin nga Australia.

Ky qëndrim vjen pasi drejtori menaxhues i Google Australia, Mel Silva, tha në një seancë dëgjimore të Senatit muajin e kaluar se motori i kërkimit do të bëhej i padisponueshëm në Australi, nëse qeveria zbaton një projektligj për të bërë që gjigantët e teknologjisë të paguajnë për përmbajtjen e lajmeve.

Silva i tha Komitetit të Senatit se nëse projektligji kthehet në ligj "ai nuk do të na jepte asnjë zgjedhje të vërtetë, përveç të ndalojmë vënien në dispozicion të Google Search në Australi".

Microsofti që atëherë është pozicionuar për të rritur pjesën e tij të tregut për motorin e vet të kërkimit, Bing. Gjiganti i teknologjisë ka ofruar gjithashtu mbështetjen për të ashtuquajturin Kodi i Lajmeve të Bisedimeve.