Tech

Në Shqipëri ka partnerë zyrtarë të Google-it

Tiranë, 15 dhjetor - Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi vizitoi sot sipërmarrjen e Ivi Tases, i cili zhvillon aktivitetin e tij në fushën e teknologjisë dhe është partner zyrtar i Google.

Një takim i rastësishëm me një partner biznesi italian, motivoi Ivin që eksperiencën e fituar në televizion, ta kanalizonte drejt një biznesi të ri shumë interesant në fushën e teknologjisë, që syzet virtuale 3D e shpjegonin shumë më mirë sesa të treguarit.

“I rrethuar nga një grup djemsh dhe vajzash të talentuar, kompania ku ai është aksioner, është tashmë një nga katër partnerët zyrtar të Google, me një produkt i cili amplifikon mundësitë e “Google Street View”, duke u ofruar fotografëve profesionistë një mënyrë të re ndërveprimi, inovative dhe të dedikuar për prenotimin e shërbimeve”, shprehet Shalsi.

“Nëpërmjet teknologjive “Tourmake” dhe “Viewmake”, mund të krijohen harta digjitale dhe dyqane interaktive të lidhura me aplikacionin “Google Maps”, siç edhe ata kishin krijuar për disa nga firmat më prestigjioze në botë si Ferrari, Lamborghini, Ralph Lauren, Football Republic, etj”, thekson ministri.

“Welcome Albania”, është një tjetër aplikacion shumë interesant dhe i dobishëm, që të ofron ta shëtisësh dhe ta shohësh Shqipërinë në 3D, model i cili pritet të aplikohet nga kompania edhe në Monaco e Dubai”, bëri të ditur ministri.

“Nga 918 mijë aplikime në “Y Combinator”, një akselerator start up-esh shumë i famshëm. Kompania u përzgjodh së bashku me 50-të të tjera nga e gjithë bota, një arritje që Ivi ja dedikonte skuadrës së tij simpatike”, tha Shalsi.

“Për stafin e kompanisë, një suprizë e këndshme ishte bashkëbisedimi nëpërmjet Skype-it me zyrat dhe bashkëpunëtorët e tij, Merin në Londër e Giuseppen dhe Adrianon në Itali, të cilët mezi pret ti takojë edhe nga afër për projekte të tjera inovative”, u shpreh Shalsi/ATSH.