Tech

Së shpejti Insta Storyt do të mund të shihen edhe në Facebook

Facebook, tani është duke planifikuar të sjellë një veçori të re e cila do të mundësojë përdoruesit që të shohin Instagram Storyt direkt në aplikacionin kryesor të këtij rrjeti më të madh social.

Veçoria e re duket se aktualisht është duke u testuar. Këtë e ka konfirmuar Matt Navarra, një konsulent i rrjeteve sociale, përmes një postimi në Twitter, transmeton KOHA. Ai ka publikuar bisedën që e ka bërë me menaxherin teknik të komunikimit të Facebookut.

Në mënyrë që të vihet në përdorim veçoria e re, përdoruesit duhet t’i lidhin llogaritë e tyre të Facebookut dhe Instagramit. Po ashtu veçoria e re pritet të respektojë të gjitha kushtet ekzistuese të privatësisë dhe përdoruesit do të kenë mundësinë të zgjedhin që Storyt të shihen apo jo përmes këtyre dy aplikacioneve.

Aktualisht, nuk është e qartë nëse është vetëm një opsion i vetëm ose mund të vendoset për secilën Story.