Tech

Facebooku mund të ndalë reklamat politike pas zgjedhjeve në SHBA

Foto: Reuters

Facebook është duke u përgatitur për skenarë të ndryshëm pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në SHBA, përfshirë edhe përdorimin e kësaj platforme nga ana e presidentit Donald Trump për t’i delegjitimuar rezultatet.

Skenarët tjera për të cilat Facebook po bëhet gati është edhe mundësia që Trump do të deklarojë në këtë platformë se i ka fituar zgjedhjet, ose që do të mohojë vlefshmërinë e rezultateve duke thënë se Shërbimi Postal i ka humbur votat apo se grupet tjera kanë ndërhyrë në zgjedhjet. 

Drejtorët e Facebookut, sipas burimeve nga Digital Trends, janë duke diskutuar që nga tani se si të zvogëlohen mundësitë që kjo platformë të përdoret për të manovruar me zgjedhjet e nëntorit.

Njëra nga idetë është të ndalohen në tërësi reklamat politike pas zgjedhjeve, ngase këto reklama mund të përdoren për të përhapur dezinformata, transmeton KOHA.

Sipas The New York Times, edhe YouTube the Twitter kanë diskutuar për plane të ngjashme por ende nuk dihet saktë se çfarë masa konkrete do të merren për këtë çështje.