Tech

Asus sjell dy tabletë të rinj ZenPad 10

Descriptive Text

Kompania e njohur tajvaneze, Asus, është duke marrë pjesë në ngjarjen e teknologjisë “Computex 2017”, në të cilën dje ajo ka prezantuar pesë laptopë të rinj dhe një tablet pa paralajmërim.

Asus, po ashtu, në këtë ngjarje ka prezantuar edhe dy tabletë të rinj ZenPad 10, të quajtur Z301MFL dhe Z301ML, transmeton Koha.net. Të dy tabletët e rinj duken shumë të ngjashëm dhe shumicën e specifikave i kanë të përafërta.

Image

Z301MFL, i cili është tableti më i fuqishëm nga kjo dyshja, vjen me ekran 10.1-inç me rezolucion prej 1920 x 1200 pikselë, kamerën kryesore prej 5 megapikselë dhe atë të përparme prej 2 megapikselë, dy altoparlantë në pjesën e përparme, portin USB Type-C, portin 3.5 mm për kufjet, portin për kartelën microSD, si dhe me baterinë prej 18Wh. Po ashtu, ky tablet i ri punon me sistemin operativ Android 7.0 Nougat, si dhe vjen me procesor 1.45 GHz MediaTek MT8735A dhe grafikën Mali-T720MP2.

Z301MFL do të jetë në dispozicicon në me 2 GB RAM memorie dhe 16 GB memorie të brendshme si dhe në version me 3/32 GB ose 3/64 GB. Ky tablet, po ashtu, ofron mbështetje për lidhjen 4G dhe 3G dhe do të jetë në dispozicion me ngjyrë të kaltër, të bardhë dhe gri. Ai peshon 490 gramë dhe ka këto dimensione: 251.77 x 172.17 x 8.95 mm. Çmimi dhe data e lansimit të këtij tableti ende nuk është zbuluar dhe atë do të mund ta blini së bashku me disa aksesorë, si për shembull tastiera me Bluetooth.

Image

Ndërkaq, modeli tjetër, ZenPad 10 Z301ML, vjen me ekran me rezolucion prej 1280 x 800 pikselë si dhe me procesor 1.3 GHz MT8735W SoC me katër bërthama. Përveç këtyre dallimeve, specifikat e tij të identike me Z301MFL janë dimensionet, pesha dhe opsionet për ngjyrë.

Fatkeqësisht, Asus ende nuk ka zbuluar se kur do të jenë në dispozicion për shitje këto dy tabletë të rinj.