Tech

Rolls-Royce planifikon të ndërtojë mini-reaktorë bërthamorë në Britani të Madhe

Descriptive Text

Kompania “Rolls-Royce” planifikon të ndërtojë mini-reaktorë bërthamorë në Britani të Madhe deri në fund të kësaj dekade.

Nga “Rolls-Royce” është konfirmuar për BBC se ekziston plani për ndërtimin dhe funksionalizimin e reaktorëve bërthamorë deri në vitin 2029. Mini-reaktorët bërthamorë mund të prodhohen në masë dhe të dërgohen në lokacione me ndihmën e kamionëve, dhe kështu është më lehtë të parashikohen kostot.

Por kundërshtarët e këtij plani thonë se Britania e Madhe duhet të heqë dorë tërësisht nga energjia bërthamore dhe të përqëndrohet në energjinë më të lirë dhe të ripërtëritshme.

Ambientalistët janë të ndarë kur bëhet fjalë për energjinë bërthamore, disa thonë se është e rrezikshme dhe e shtrenjtë, ndërsa të tjerët thonë se janë të nevojshme të gjitha teknologjitë nëse synohet të arrihet objektivi i emetimeve zero deri në vitin 2050.

Ata që e mbështesin projektin e mini reaktorëve bërthamorë besojnë se ato mund të garojnë me çmimet me burimet më të lira të energjisë së ripërtëritshme, shkruan KOHA Ditore. Plani është që mini reaktorët të vendosen në Cumbria ose Wales, ndërsa do të duhej të jenë gjithsej 10 deri 15 në Britani të Madhe.

Bëhet fjalë për reaktorë të vegjël të cilët mund t’i ketë çdo qytet, ndërsa përdorimi i lokacioneve ekzistuese do ta parandalonte problemin e sigurisë nga sulmet terroriste.