Tech

Mjekët përdorin robotin për të komunikuar me pacientët që janë të infektuar me korona-virus

Personi i parë i diagnostikuar me korona-virusin Wuhan në Shtetet e Bashkuara po mjekohet nga disa profesionistë mjekësorë dhe një robot.

"Roboti, i pajisur me stetoskop, i ndihmon mjekët t’i marrin qelizat vitale të një personi dhe të komunikojnë me të përmes ekranit të madh", tha për CNN dr. George Diaz, shef i departamentit të sëmundjeve infektive në Qendrën mjekësore rajonale Providence në Everett, Washington.

Personit, i cili është rreth 30 vjeç, iu diagnostikua korona-virusi të hënën e kaluar, shkruan KOHA Ditore. Ai fillimisht më 19 janar shkoi në një klinikë të kujdesit emergjent dhe i tha stafit se ishte i shqetësuar për simptomat e mundshme të korona-virusit të ri, sepse kohët e fundit kishte udhëtuar në Wuhan, Kinë.

"Ai arriti në aeroportin ndërkombëtar ‘Seattle-Tacoma’ më 15 janar, përpara se të fillonin ekzaminimet mjekësore në aeroportet e SHBA-së", thanë qendrat amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Dr. Diaz tha se banori i qarkut Snohomish ishte në gjendje stabile dhe se mbetet në izolim. Ai shtoi se përdorimi i robotëve e minimizoi ekspozimin e personelit mjekësor ndaj personit të infektuar.

Zyrtarët shëndetësorë në Washington të enjten konfirmuan se janë në kontakt me 43 persona, të cilët i konsiderojnë si "kontakte të afërta" me mashkullin 30-vjeçar, të cilët i kanë identifikuar njerëzit me të cilët ka komunikuar ai prejse kur u kthye nga Wuhan. Këto kontakte do të ftohen dhe monitorohen në mënyrë aktive çdo ditë për shenja të ndonjë sëmundjeje.

"Pacienti mbërriti në spital në një shtëpizë të veçantë të izoluar të quajtur ISOPOD dhe u trajtua në një njësi të izoluar me dy shtretër, larg pjesëve të spitalit që kanë qarkullim", tha mjeku.