Tech

SSD Samsung T7 Touch me lexues të integruar të gjurmëve të gishtërinjve

Gjatë panairit CES, Samsungu ka prezantuar linjën e re T7 të SSD-ve mobile, e cila e përfaqëson pasardhësin e modelit T5 nga viti 2017. Modeli i ri e ka një kapacitet të ngjashëm maksimal prej deri në 2TB, por Samsungu ka implementuar përmirësime falë shtimit të USB 3.2 Gen 2, raporton Neowin.

Falë ndërfaqes së re, disku tani mund të ofrojë lexim të të dhënave me një shpejtësi prej deri në 1050 MB/s dhe shpejtësi të shkrimit të të dhënave prej deri në 1000 MB/s. Samsungu thekson gjithashtu se SSD-ja mund ta arrijë shpejtësinë maksimale kur përdoret me ndërfaqen NVMe, por nuk i ka publikuar shpejtësitë specifike në këtë modalitet.

Linja T7 e SSD do të jetë në dispozicion në dy modele - T7 dhe T7 Touch. Dallimi më i madh midis dy pajisjeve është se T7 Touch ka sensor për gjurmë të gishtërinjve që siguron përmbajtje të përshtatur në disk, shkruan KOHA Ditore. Përveç kësaj, janë edhe mbrojtja përmes fjalëkalimit dhe kriptimi harduerik AES 256-bit.

Samsung Portable SSD T7 Touch do të jetë në dispozicion duke filluar këtë muaj në mbi 30 vende të botës, në versionet 500 GB, 1TB dhe 2TB dhe me çmime midis 130 dhe 400 dollarësh. T7 standard do të dalë në treg në tremujorin e dytë.