Tech

Statistikat e reja tregojnë që Windows 7 nuk do të dorëzohet lehtë

Microsofti është i vendosur që me 14 janar ta përfundojë mbështetjen për Windows 7, ndërsa vetëm një muaj e gjysmë deri tek ky afat pritej që shumica e përdoruesve të kenë kaluar tashmë në Windows 10. Megjithatë, të dhënat për tetor nga kompania analitike NetMarketShare tregojnë se hisja në treg e Windows 7 ka pësuar një rënie minimale, raporton Softpedia.

Për më keq për Microsoftin, Windows 10 gjithashtu ka pësuar një rënie të vogël gjatë kësaj periudhe, dhe atë në një kohë kur duhet të përfitojë më së shumti nga përparësia se po i afrohet fundi mbështetjes për Windows 7.

Windows 10 ka mbetur sistemi operativ kryesor, por me një rënie nga 54.30% në 53,33% të hises së tregut, shkruan KOHA Ditore. Windows 7 është ende në vendin e dytë, ndërkohë që zvogëlimi i hises së tregut të këtij versioni të sistemit operativ po ndodh shumë më ngadalë se sa do të dëshironte Microsofti, kështu që hisja e tregut nga 26.94% sa ishte në tetor kishte rënë në 26.86% në nëntor.

Sistemet operative, që nuk janë Windows, janë ende shumë larg për nga hisja e tregut, me ç’rast macOS 10.14 e mban 4.15% të tregut, pasuar nga macOS 10.15 me 3.93 %. Sipas të njëjtit burim, Linuxi e mban 1.21% të tregut.