Kështu duket koncepti i mundshëm i telefonit me Windows 10X

Kështu duket koncepti i mundshëm i telefonit me Windows 10X

03 December 2019 23:40

Vendimi i Microsoftit për ta implementuar Androidin në Surface Duo befasoi shumëkënd, veçanërisht sepse shumica menduan se kompania kishte ndaluar së investuari në harduer. Megjithatë, Microsofti dëshiron ende të jetë pjesë e tregut mobil, raporton Softpedia.

Edhe pse ka sistem të ri operativ i cili është i optimizuar për pajisjet dual-screen, modeli i parë i kompanisë me dy ekrane nuk e përdor atë. Në vend të tij, Microsofti do ta përdorë Androidin për Surface Duo, ndërsa pajisja është planifikuar të lansohet vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, ka shumë nga ata që nuk duan që Microsofti ta përdorë platformën e Google dhe dëshirojnë që në vend të saj ta implementojë Windows 10X – platformën e Microsoftit për paisje me dy ekrane, e cila ka shumë më tepër kuptim për zhvillimin e ardhshëm të industrisë mobile, shkruan KOHA Ditore.

Këtë e sugjeron edhe koncept dizajni i ri, i lansuar nga TheVoneTrecker, ku parashtrohet koncepti DuoX Mobile, i cili sugjeron se si do të mund të duket dhe të punojë Windows 10X në pajisjet mobile siç është Surface Duo.

Sigurisht, meqë bëhet fjalë për koncept, gjithçka duket dhe funksionon mirë, ndërsa Windows 10X UI ka kuptim në pajisjet mobile, të paktën në shikim të parë. Se a është kjo diçka që mund të ndryshojë në realitet ky është vendim i Microsoftit, por si duket kompania nuk planifikon të heqë dorë nga Androidi në këtë moment.

Microsofti nuk i ka zbuluar planet e veta mobile për Surface Duo dhe ka ende shpresë se Windows 10X në ndonjë moment mund të jetë ende pjesë e pajisjes mobile të kompanisë.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme