Tech

Redmi K30 do të ketë ekran 120Hz

Gjatë javëve të fundit, Xiaomi i ka dhënë disa detaje në lidhje me telefonin e ardhshëm Redmi K30, si mbështetja për 5G dhe hapja punch-hole për dy kamerat e përparme. Tani, falë hulumtimit të XDA-Developer janë gjetur edhe disa detaje të reja.

Duke e shikuar interfejsin MIUI 11, anëtari i XDA me nofkën kacskrz ka gjetur referenca për pajisjen me emrin e koduar "phoenix". Dyshohet se kjo pajisje është pikërisht Redmi K30, pasi që fotoja MIUI 11 e tregon pikërisht telefonin me një prerje të dyfishtë punc-hole dhe lexues për gjurmë të gishtave anash.

Image

U zbulua se "phoenix" e mbështet edhe rifreskimin e ekranit prej 120Hz. Kjo nuk është hera e parë që po dëgjojmë për planet e Xiaomit për të implementuar ekrane 120Hz, por duket se Redmi K30 mund të jetë telefoni i parë i tillë i kësaj kompanie.

Frekuenca më e lartë e rifreskimit mundëson shfaqje më të pastër dhe lëvizje nëpër menu, si dhe skrollim të faqeve, por gjithashtu një përvojë më të mirë në lojëra që e mbështesin 120Hz, shkruan KOHA Ditore. Disa modele të Google dhe OnePlus e mbështesin 90Hz, ndërsa Asus ROG Phone 2, modelet falmurtare Sharp Aquos dhe Razer Phone e mbështesin rifreskimin prej 120Hz.

Modeli i parë 120Hz ishte Razer Phone, i cili erdhi me ekran IPS, ndërsa modeli i sivjetëm Asus ROG Phone 2 ishte modeli i parë i këtillë me ekran OLED. Lexuesi i gjurmëve të gishtërinjve në pjesën anësore dhe jo brenda ekranit tregon se Xiaomi ka shumë të ngjarë të jetë përcaktuar për ekran IPS, edhe pse ka mundësi që bëhet fjalë për OLED, dhe se kompania ka vendosur të kursejë në ndonjë vend tjetër.

Gjëja e fundit që vihet re në kod është se "phoenix" e ka sensorin e kamerës Sony IMX686. Besohet se bëhet fjalë për sensorin prej 60MP ose 64MP, i cili do të prodhonte fotot me Quad Beyer 15MP ose 16MP kundrejt 12MP sa prodhojnë kamerat aktuale 48MP.

Për prezantimin zyrtar të Redmi K30 do të duhet të presim deri në muajin tjetër, ose në fillim të vitit 2020, por sigurisht që duket se do të jetë një telefon interesant.