Tech

“Qualcomm” pohon se deri në vitin 2021 do të livrohen 450 milionë telefona 5G

Descriptive Text

Kompania “Qualcomm” parashikon që deri në vitin 2021 në mbarë botën do të livrohen 450 milionë telefona të mençur 5G dhe shton se ky numër mund të rritet në 750 milionë telefona 5G në vitin 2022.

Kompania teknologjike amerikane ka parashikuar më parë se në vitin 2020 do të livrohen 200 milionë telefona 5G. Në krahasim me parashikimet e reja, mund të shohim se rritja e pajisjeve që e mbështesin rrjetin 5G për vetëm dy vjet mund të rritet në 125 për qind.

Sot, zgjedhja e telefonave 5G është mjaft e kufizuar. Vetë rrjetet pa tel ende duhet të përmirësohen para se 5G të bëhet standard. Edhe nëse më shumë pajisje transportohen në vitet e ardhshme, do të duhet ca kohë para se 5G të fillojë të përdoret gjerësisht, siç është rasti aktualisht me LTE.

Gjithsesi, për adhuruesit e teknologjisë është inkurajuese që “Qualcommi” po e parashikon një numër kaq të madh të telefonave 5G në vitet 2021 dhe 2022.

“Bumi” i madh i telefonave 5G në vitin 2020 u parashikua, gjithashtu, nga banka e Wall Street, Goldman Sachs, shkruan KOHA Ditore. Analistët bankarë pohojnë se Huawei do ta arrijë një përfitim të madh në këtë zhvillim, gjë që nuk është befasi duke pasur parasysh që gjiganti kinez i teknologjisë e bëri thirrjen e parë 5G në botë dhe e lansoi pajisjen e parë terminale 5G në vitin 2018.

Kinezët madje kanë njoftuar së fundi se janë duke u përgatitur ta zhvillojnë teknologjinë 6G me shpresën për ta konsoliduar dominimin e tyre në lidhjet pa tel në botë. Përveç kësaj, ata besojnë se do t’i kenë 600 milionë abonentë në rrjetin 5G deri në vitin 2025, duke i bërë ata udhëheqës të revolucionit global 5G.