Mbërrijnë pllakat e reja amë - seria AMD B550 dhe Intel 400

Mbërrijnë pllakat e reja amë - seria AMD B550 dhe Intel 400

21 November 2019 20:36

Përfaqësuesit e kompanisë BIOSTAR kanë deklaruar se i kanë të gatshme modelet e reja të pllakave amë të bazuara në çipsetin AMD B550, të cilat do të duhej t’i zëvendësojnë modelet shumë të popullarizuara dhe të përballueshme “mainstream” B450.

Çipseti i ri është më i përshtatshëm me karakteristikat e serisë së re të CPU-ve AMD Ryzen 3000 për shkak të mbështetjes së standardit PCIe v4.0 për transferimin më të shpejtë të të dhënave me dyfishin e shpejtësisë maksimale të transferimit në krahasim me PCIe v3.0 të përdorur nga modelet aktuale B450. Çipseti i ri e sjell edhe mbështetjen për punë të dy porteve USB 3.2 Gen2 dhe interfejsin 6x USB 2.0, raporton BrainBox Korea.

Përveç mbështetjes për platformën e procesorit AMD, Biostar i pret edhe risitë nga Inteli. Për ta përmbushur daljen e ardhshme të procesorit Intel Comet Lake-S për platformën e desktopit, ky prodhues ka përgatitur pllaka të reja amë të bazuara në serinë e çipseteve Intel 400. Intel Z490 e synon tregun “high end”, ndërsa modelet B460 dhe H410 do të pozicionohen në kategorinë e mesme dhe të fundit të çmimeve.

Çipseti i ri Intel do të ketë mbështetje bazike për punë të rrjetit të shpejtë pa tel të standardit WiFi 6, ndërsa e gjithë platforma do t’i ketë në dispozicion 40 rrugë komunikimi PCIe v3.0. Nga këto, 16 janë të dedikuara për komunikim të drejtpërdrejtë të procesorëve CPU dhe kartelave grafike, katër të tjerat janë të destinuara për komunikim të drejtpërdrejtë të procesorëve dhe çipseteve. Fatkeqësisht, CPU dhe çipseti janë ende të lidhur përmes interfejsit DMI 3.0, i cili në fakt paraqet një pengesë të madhe për platformën Intel pasi e ka gjerësinë e magjistrales 4 PCIe v3.0, shkruan KOHA Ditore. Kjo praktikisht do të thotë që këto 20 rrugë transporti shtesë PCIe v3.0 që janë në dispozicion në çipset kanë përfitime të kufizuara të përdorshme, duke e pasur parasysh fytin e ngushtë të përshkruar në shkëmbimin e të dhënave me CPU.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme