Tech

Facebooku teston aplikacionin për krijim të MEME-ve

Facebooku është duke e testuar edhe një prej projekt-aplikacioneve të veta të çuditshme këtë herë të destinuara për një popullsi pak më të re. Bëhet fjalë për aplikacionin e quajtur Whale, të destinuar për të bërë MEME të popullarizuara, raporton Next Web.

Qëllimi i aplikacionit është ta bëjë më të lehtë krijimin e imazheve duke e integruar një bibliotekë të imazheve dhe veglave për përpunimin e tyre. Sipas përshkrimit, brenda tij mund të shtoni filtra, stikere dhe emoji, t’i kopjoni dhe t’i ndani ato përmes rrjeteve sociale ose aplikacioneve për chat.

Si autor i aplikacionit është nënshkruar “NPE Team from Facebook”, gjë që e paraqet një grup të brendshëm për testim në kuadër të kompanisë së quajtur New Product Experimentation, shkruan KOHA Ditore. I njëjti grup është autor edhe i dy aplikacioneve të tjera, Aux dhe Bump, të cilat janë të destinuara për studentët.

Tani për tani, aplikacioni është në dispozicion vetëm në Play Store kanadez, ndërsa nuk dihet nëse dhe kur do të dalë në tregje të tjera, veçanërisht pasi që Facebooku tashmë ka mjaft projekte të anuluara të këtij lloji.

Ky aplikacion është edhe një përpjekje e Facebookut për ta rritur ndikimin e vet tek popullata e re, nga e cila, sipas hulumtimeve në Amerikë, vetëm 50% e përdorin Facebookun. Ky rrjet social për nga popullariteti në këtë segment demografik po e humbet betejën me Snapchatin, si dhe kohët e fundit edhe nga TikTok.