Nvidia e prezanton Ampere, modeli i parë RTX 3080 mbërrin në vitin 2020

Nvidia e prezanton Ampere, modeli i parë RTX 3080 mbërrin në vitin 2020

15 November 2019 19:40

Nvidia po përgatitet ta prezantojë gjeneratën e ardhshme të GPU-ve prej 7nm të bazuara në arkitekturën Ampere, ndërsa kartelat e para grafike do të mishërohen në modelet RTX 3080 dhe priten në qershor të vitit të ardhshëm, raporton HKEPC.

Sipas thashethemeve të këtyre ditëve, themeluesi dhe drejtori i Nvidia - Jensen Huang ka thënë se Nvidia nuk po nxiton ta prezantojë gjeneratën e ardhshme të kartelave grafikë Ampere, duke pasur parasysh pozitën e mirë dhe popullaritetin e lartë të modeleve aktuale Turing në betejën e tregut me AMD. Kjo u referohet veçanërisht modeleve të klasës së lartë - RTX 2080 dhe RTX 2080 Ti - aktualisht të pakapshme për modelet AMD Radeon.

Sipas njoftimeve, AMD ka vendosur që situatën ta kthejë në avantazhin e vet dhe po e përgatit "vrasësin e Nvidia" të bazuar në arkitekturën RDNA2 e cila do të ketë harduer të integruar RayTracing dhe do të jetë e gatshme për t'u ballafaquar me modelet GeForce RTX në fillim të vitit të ardhshëm, shkruan KOHA Ditore. Nvidia, nga ana tjetër, është e gatshme për një sfidë të tillë dhe po e përgatit gjeneratën Ampere GPU si përgjigje konkrete ndaj këtyre kërcënimeve të AMD.

Arkitektura Ampere do të përdoret nga seria e kartelave grafike për gaming GeForce RTX 3000, të cilat do të duhej të prezantohen në panairin Computex 2020. Sipas praktikës së ekipit Nvidia, fillimisht priten modelet RTX 3080 dhe RTX 3070 të cilat do të pasohen nga RTX 3080 Ti, ndërsa disa muaj pas daljes së tyre do të pasohen derivatet më të lira Ampere në formën e modeleve RTX 3060 dhe 3050.

Kartelat grafike GeForce RTX 3000 Ampere do të kenë performanca më të mira Ray Tracing, mundësi të përmirësuara rendering, konsum më të ulët mesatar të energjisë, më shumë video-memorie, frekuenca më të mëdha operative, ndërkohë që pritet RTX 3080/3080 Ti të jetë më i lirë se modelet ekzistuese RTX 2080 dhe RTX 2080 Ti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme