Tech

Google fillon të kujdeset për shëndetin e amerikanëve dhe, kush e di, ndoshta së shpejti edhe tonin

Descriptive Text

Sipas një raporti të ‘Wall Street Journal”, Google i ka bashkuar forcat me zinxhirin e institucioneve shëndetësore në shtetin amerikan të St. Louis për të pasur qasje në të dhënat e pacientëve të tyre. Këto institucione shëndetësore kanë zyra në 23 shtete në të gjithë SHBA-në, raporton “The Wall Street Journal”.

Google ka fituar qasje në një numër të madh të pacientëve, duke përfshirë: diagnozat, analizat laboratorike, të dhënat mbi qëndrimet në trajtimet spitalore, si dhe historinë komplete mjekësore, përfshirë datën e lindjes, shkruan KOHA Ditore. Është interesante që Google i mbledh dhe përdor këto të dhëna pa dijeninë e pacientëve dhe mjekëve, e që sipas ligjit federal është e ligjshme për sa kohë që të dhënat mblidhen për qëllime shëndetësore.

Në këtë mënyrë, Google ka fituar qasje në të dhënat shëndetësore të madje 10 milionë pacientëve. Ato do të përdoren për krijimin e softuerëve të cilët do t’i parashikojnë nevojat shëndetësore të pacientëve bazuar në historinë e tyre. Këto të dhëna do të mund t’i përdorin edhe kompanitë e tjera brenda Google.

Divizioni i cili merret me zhvillimin e inteligjencës artificiale, Google Brain, gjithashtu do t’i përdorë këto të dhëna për të zhvilluar shërbime të reja. Tani për tani nuk është e qartë se çfarë lloj shërbimesh mund t’ua ofrojë Google Brain pacientëve, por dihet që ky divizion i Google merr pjesë në zhvillimin e algoritmit që u jep rekomandime për përmbajtjen e You Tube, pastaj ndihmon me shërbimin e Androidit për njohjen e zërit dhe kërkimin e fotografive në Google+. Gjithashtu, kjo pjesë e Google është përgjegjëse për shërbimin e përkthimit - Google Translate. Ndoshta Google Doctor një ditë do të bëhet rutina jonë e përditshme. Në fakt kjo është e sigurt, është vetëm çështje kohe para se të ndodhë.

Përfaqësuesit e Google i thanë Wall Street Journal se bashkëpunimi i tyre me institucionin e përmendur shëndetësor është plotësisht i ligjshëm dhe se të dhënat e pacientëve mbrohen nga keqpërdorimi.