Tech

Elektronika elastike e sigurt për bartje

Foto: Pajisja dritë-emetuese elastike bëhet kronometër epidermal (ACS Materials Letters)

Në atë që mund të jetë ose elektronika e bartshme më diskrete ose më e veçuar, një ekip hulumtuesish të udhëhequr nga Desheng Kong nga universiteti Nanjing e ka zhvilluar një etiketë elestike prototip kronometri, e cila mund të ngjitet në pjesën e pasme të dorës së personit.

Duke e përdorur nanoteknologjinë, kronometri i ri nuk është vetëm mjaft i ndritshëm sa të shihet në dritë të brendshme, por punon me voltazh mjaft të ulët për të qenë i sigurt për lëkurën e njeriut, shkruan Koha Ditore.

Etiketat elektronike ose tatuazhet e përkohshme nuk janë diçka e re. Një teknologji e tillë e ka një gamë të gjerë të aplikimeve të mundshme, veçanërisht në fushën e mjekësisë, por ekranet Alternating-Current Electroluminescent (ACEL) që janë zhvilluar kohët e fundit lënë shumë për të dëshiruar. Kjo për shkak se nëse duam që pajisjet e tilla të jenë mjaft të ndritshme për të qenë praktike, ato duhet të funksionojnë në voltazh që mund të jetë i rrezikshëm pranë lëkurës së njeriut.

Për ta bërë etiketën kronometrike më pak elektro-shokuese, ekipi i Desheng e sanduiçoi një shtresë elektrolumineshente, të përbërë nga mikrogrimcat që lirojnë dritë, të vendosura në një material elastik dielektrik midis dy elektrodave fleksibile prej nanotelit të argjendit. Por pjesa e mençur është se materiali dielektrik është bërë nga nanogrimcat e qeramikës të ngulitura në një polimer gome. Këto e kanë vetinë e përqendrimit të fushës elektrike në fosfor, duke e bërë atë të ndriçojë shumë më ndritshëm në voltazhe shumë më të ulëta.

Deri më tani, etiketa katër-shifrore kronometrike është provuar në dorën e një vullnetari dhe është mjaft e ndritshme për t'u parë në kushte të ndriçimit të brendshëm. Shpresohet që kjo teknologji një ditë do të mund të gjejë aplikime në robotikë të butë dhe interfejse njeri-makinë.

Hulumtimi u publikua në ACS Materials Letters.