Tech

Google mendon ta blejë Fitbitin

Alphabet, që paraqet kompaninë mëmë të Google, thuhet se është i interesuar ta blejë Fitbitin - prodhuesin e njohur të pajisjeve të bartshme i cili si duket po mendon që potencialisht ta shesë biznesin e vet, raporton Softpedia.

Edhe pse nuk janë publikuar detajet specifike, Google me siguri është interesuar ta blejë Fitbitin në përpjekje për të arritur përparim në tregun e pajisjeve të bartshme dhe ta krijojë një produkt që do të garojë me Apple Watch.

Thashethemet për një orë potenciale të mençur Google Pixel Watch janë shfaqur për vite me radhë, por Google ende nuk e ka lansuar pajisjen e vet të bartshme të këtij lloji.

As Google dhe as Fitbit nuk komentuan për pretendimet për blerjen potenciale, por aksionet e kompanisë që prodhon pajisje të bartshme u rritën për 27% pasi që u shfaqën raportet rreth blerjes, shkruan KOHA Ditore.

Shitjet e pajisjeve Fitbit janë në rënie përkundër modeleve si Versa dhe Versa Lite. Sipas kompanisë analitike IDC, Fitbit i ka shitur 13.8 milionë pajisje të bartshme gjatë vitit të kaluar, gjë që paraqet një rënie prej 10 për qind në nivel vjetor.