Tech

Nikon Z50 është kamera e parë DX pa pasqyrë e kompanisë

Nikon e ka zgjeruar linjën e vet të kamerave me modelin e ri Z50, e cila është kamera e parë e kompanisë me format DX pa pasqyrë. Modeli i ri vjen me një çmim shumë më të ulët se modelet e lansuara më parë Nikon Z 6 dhe Z 7, raporton SlashGear.

Nikon Z50 e ka një format kamere APS-C, me një sensor 20.9MP CMOS, me rezolucion maksimal prej 5568 x 3712 pikselësh, shkruan KOHA Ditore. Përdoruesit mund të krijojnë fotografi në raport të faqeve 1:1, 3:2 dhe 16:9, si dhe video në rezolucione deri në 4K UHD me 3840 x 2160 piksele.

Nikon ka implementuar shumë funksione në kamerë, përfshirë stabilizimin digjital të fotografisë për xhirimin e videove, ISO 100 deri në 51200, shpejtësi elektronike të mbyllësit (shutter) prej 1 / 4000s deri në 30 sekonda, mbështetje për xhirim intervalor etj.

Image

Kamera është e lehtë dhe kompakte, por pavarësisht nga madhësia e saj e vogël vjen me një ekran 3,2 inçësh LCD, tregues të kuadrit elektrik OLED dhe blic të integruar.

Nikon Z50 do të kushtojë 865 dollarë (pa thjerrëz) dhe do të dalë në treg në fund të nëntorit.