Tech

Huawei Mate X do të dalë në treg në fund të tetorit

Huawei ka prezantuar telefonin e vet fleksibil Mate X gjatë panairit MWC 2019, ndërsa lansimi i pajisjes në treg është shtyrë disa herë që nga ajo kohë. Richard Yu, CEO i kompanisë Huawei ka premtuar se telefoni do të arrijë në tetor, ndërsa raportet më të fundit nga Kina sugjerojnë që Mate X është në fazën e prodhimit masiv dhe pritet deri në fund të muajit, raporton GSMArena.

Raporti i Sina Technology Company sugjeron që prodhimi i ekranit fleksibil është shumë i vështirë, gjë që nuk është për t’u habitur pasi bëhet fjalë për një produkt revolucionar.

Gjatë periudhës kur Mate X u shty, Huawei i bëri disa përmirësime në dizajnin e telefonit, shkruan KOHA Ditore. Kjo përfshin rregullimin e qëndrueshmërisë dhe rezistueshmërisë së ekranit fleksibil, si dhe optimizimi i interfejsit të përdoruesit për përdorim më të lehtë të pajisjes.

Kur u paralajmërua, u përmend çmimi i pajisjes prej 2250 dollarëve, ndërsa gjatë lansimit në treg do të shohim nëse kjo do të mbahet. Është gjithashtu i mundur edhe azhurnimi nga Kirin 980 në modelin e çipsetit 990, por kjo nuk është konfirmuar.