Twitteri i ka keqpërdorur emailat dhe numrat e përdoruesve për reklamim të shënjestruar

Twitteri i ka keqpërdorur emailat dhe numrat e përdoruesve për reklamim të shënjestruar

12 October 2019 22:43

Twitteri u ka kërkuar falje përdoruesve të vet për përdorimin e paqëllimshëm të email-adresave dhe numrave të telefonit për të mundësuar reklamimin të shënjestruar.

Nga kompania u tha se vetëm disa tregtarë mund të kenë qenë në gjendje të arrijnë deri tek përdoruesit e caktuar të Twitterit bazuar në të dhënat rreth tyre, madje edhe nëse ata përdorues nuk donin që informacioni që kishin lënë në Twitter të përdorej në këtë mënyrë.

"Nuk mund të themi me siguri se sa njerëz janë prekur", thanë nga Twitteri.

Megjithatë, kritikët teknikë paralajmërojnë, raporton BBC, se kjo situatë i ka prekur përdoruesit në të gjithë botën.

Është e pazakontë, thonë shumë njohës, që kompania nuk ka kontaktuar direkt me klientët për t'i njoftuar ata për shkeljet e privatësisë së tyre, as për ta njoftuar publikun kur u zbulua problemi, shkruan KOHA Ditore. Kompania njoftoi se e kishte zbuluar dhe zgjidhur problemin e 17 shtatorit.

"Më nuk përdorim numra të telefonit ose emaila për qëllime reklamimi", thanë nga Twitteri.

Twitteri, selia evropiane e të cilit është në Dublin, nuk ka zbuluar nëse e ka njoftuar komisionerin irlandez për mbrojtjen e të dhënave. Siç thuhet, po komunikohet me rregullatorët "aty ku është e përshtatshme".

Sipas Rregullores evropiane për mbrojtjen e të dhënave (GDPR), përdoruesit e rrjeteve sociale duhet të njoftohen nëse informacionet e tyre private po përdoren për ndonjë qëllim tjetër që nuk ishte synuar, siç është reklamimi.

Twitteri thekson se i ka 139 milionë përdorues që e përdorin platformën çdo ditë dhe të cilëve u shërbehen reklama çdo minutë.

T’ju rikujtojmë, praktika e zakonshme në rrjetet sociale është reklamimi i shënjestruar i përdoruesve të cilët kanë të ngjarë ta njohin një brend ose produkt të caktuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme