Tech

Google Chrome së shpejti do ta bllokojë përmbajtjen e pasigurt në faqet HTTPS

Prej kohësh Google po i drejton pronarët e ueb faqeve dhe developerët në HTTPS (i cili është më i sigurt dhe më mirë i enkriptuar se HTTP), ndërsa kompania po i shënon qartë ueb faqet e pasigurta në Chrome, raporton SlashGear.

Megjithatë, etiketa HTTPS nuk është një etiketë krejt precize, pasi që edhe ueb faqet me HTTPS mund të kenë përmbajtje të pasigurt. Kjo quhet përmbajtje e përzier, ku një faqe e sigurt mund (me ose pa dashje) t’i lexojë nën-burimet në mënyrë të pasigurt, përmes HTTP-së së pastër, shkruan KOHA Ditore. Këto nën-burime, përveç fotove dhe videove, përfshijnë "iframes" dhe faqe të integruara të internetit. Me fjalë të tjera, madje edhe faqet e sigurta të internetit mund të jenë të rrezikshme për përdoruesin nëse përmbajtja lexohet në mënyrë eksterne ose përmes kanaleve të tjera.

Image

Google do ta rregullojë këtë problem duke e bllokuar përmbajtjen e përzier, por ky transicion kohë për t’u përshtatur. Duke filluar me versionin Chrome 80, i cili do të publikohet në kanalin developer në janar të vitit 2020, ueb faqet me përmbajtje të përzier HTTPS do të etiketohen si "Not Secure". Chrome gjithashtu do të përpiqet t'i avancojë automatikisht ato faqe në HTTPS, por nëse kjo nuk funksionon, do t'i bllokojë ato menjëherë. Në pjesën më të madhe kjo do të implementohet në versionin Chrome 81, i cili arrin në shkurt të vitit të ardhshëm.

Chrome 79, i cili arrin në dhjetor, do t'ua mundësojë përdoruesve ta zhbllokojnë përmbajtjen e përzier dhe kjo do të jetë në dispozicion për çdo sajt veçmas. Natyrisht, përdoruesit e bëjnë këtë në rrezik të tyre.