Tech

Ish-inxhinieri i Yahoo-së e pranon se i ka shikuar profilet e përdoruesve duke kërkuar foto nudo

Një ish-inxhinier softuerik i Yahoo-së e ka pranuar se ka pasur qasje të paautorizuar në profilet e rreth 6,000 përdoruesve duke kërkuar foto dhe klipe nudo.

Ky rast u konfirmua nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Kaliforni, ndërsa u theksua se programeri Reyes Daniel Ruiz i përdori privilegjet e tij dhe i kontrolloi profilet e përdoruesve të rinj të Yahoo, përfshirë të shoqes dhe koleges së tij.

Ende nuk është e qartë nëse qasja e tij në profil është rezultat i statusit të tij në Yahoo, i cili u lejon punonjësve qasje në informacione të ndjeshme të përdoruesve siç janë fjalëkalimet apo nëse ai thjesht e ka përdorur njohurinë për sigurinë dhe mbrojtjen kibernetike për t’i hakuar profilet, shkruan KOHA Ditore.

Përveç kësaj, Ruiz i përdori profilet për t’i shikuar emailat dhe kishte gjetur mënyra për t’ju qasur iCloud, Facebook, Gmail, Dropbox dhe shërbimeve të tjera.

Yahoo e zbuloi aktivitetin e Ruiz duke e ndjekur profilin e tij të punës, ndërsa pas kësaj pasoi aktakuza. Ai e ka pranuar fajësinë ndërsa verdikti pritet në shkurt. Dënimi maksimal është pesë vjet burg dhe 250,000 dollarë dëmshpërblime për personat të cilëve u është cenuar privatësia.