Tech

Xiaomi e paralajmëron Pocophone F2 për tremujorin e ardhshëm?

Descriptive Text

Pocophone F1 ishte një nga telefonat më të suksesshëm të kompanisë Xiaomi gjatë vitit 2018. Telefoni kishte specifikime të shkëlqyera dhe një çmim të përballueshëm.

Megjithatë, përkundër këtij suksesi, Xiaomi nuk e ka shpallur pasardhësin e tij, ndërkohë që tashmë jemi në muajt e fundit të vitit 2019 dhe asgjë përveç thashethemeve sporadike nuk janë shfaqur për modelin Pocophone F2, raporton GizChina.

Shumë adhurues tashmë kanë filluar të shprehin pakënaqësi për mungesën e informacionit për flamurtarin e përballueshëm, ndërsa tani kanë mbërritur informacione interesante të cilat u kanë ngjallur shpresa shumë njerëzve se telefoni do të prezantohet së shpejti, shkruan KOHA Ditore. Manu Kumar Jain, udhëheqës i departamentit Xiaomi India, në Twitter tregoi pa dashje se kur mund të mbërrijë Pocophone F2. Zyrtari i kompanisë e postoi një foto të takimit të punës, e cila në vete e përmban treguesin e periudhës kur pritet F2.

Në foto, prapa zyrtarëve të Xiaomit, ndodhet një tabelë në të cilën dyshohet se ndodhet afati kohor për lansimin e produkteve të Xiaomi. Nëse zoomohet mjaft afër, shihet se Mi Pad është planifikuar për maj dhe qershor, ndërsa F2 është futur në tremujorin e fundit të vitit.

Megjithatë, ky informacion duhet të merret me rezervë - Mi Pad (4/4 Plus) nuk u publikua në Indi këtë vit, gjë që mund të nënkuptojë që informacioni në tabelë është i vjetëruar ose ndoshta i referohet vitit të ardhshëm.

Mbetet për t’u parë se cilat janë planet e Xiaomit për Pocophone F2 dhe nëse do ta shohim edhe pasardhësin e telefonit të popullarizuar nga viti i kaluar.