Tech

Udhëzime rreth blerjes së pajisjeve të përdorura elektronike

Blerja e pajisjeve të përdorura elektronike mund të mos jetë zgjidhja më e zgjuar, paralajmërojnë ekspertët. Nëse nuk mund ta zotëroni "artin e blerjeve të këtilla", gjasat janë që do të blini produkte të prishura që nuk zgjasin shumë.

Kjo është pikërisht arsyeja se pse ekspertët këshillojnë se çfarë duhet të mendojnë njerëzit para se të blejnë pajisje të përdorura elektronike siç janë televizorët, mikrovaloret, bateritë për telefona të mençur, automobilat apo laptopët.

Shmangni rreziqet

Përmes blerjeve në ankande ju rrezikoni shumë dhe gjasat janë të mëdha që nuk do të mund ta testoni paraprakisht produktin tuaj. Prandaj gjithmonë bleni në dyqane ku do t'ju japin faturë dhe garancion.

Këshillat

Gjëja e parë që duhet ta kontrolloni është pamja fizike e produktit që po e bleni, d.m.th. të siguroheni që nuk ka dëmtime. Pra, së pari kontrolloni a ka gërvishtje ose dëmtime që mund të tolerohen vetëm në produktet si lavatriçet. Gjithashtu duhet të kemi kujdes në blerjen e furnizimeve me rrymë. Mos kurseni në këtë komponentë, pasi që furnizimi më i shtrenjtë mund të mos e bëjë PC më të shpejtë, por sigurisht që do të ndikojë në besueshmërinë, efikasitetin dhe aftësinë e tij për të funksionuar me komponente shtesë.

Gjithashtu, nëse vini re se pajisja që dëshironi ta bleni duket sikur i ka dy kabllo të energjisë të lidhura me një shirit izolues, atëherë ka shumë të ngjarë që po bleni artikull të vjedhur, pasi në shumicën e rasteve hajdutët i këpusin kabllot e energjisë për shkak të vjedhjes më të shpejtë dhe më të lehtë.

Funksionaliteti

Nëse pajisja e ka kaluar hapin e parë, funksionaliteti është gjëja e dytë që duhet kontrolluar. Nëse bëhet fjalë për televizor, kontrolloni konfigurimin e fotografisë, funksionalitetin e telekomandës dhe nëse të gjithë konektorët janë në gjendje të rregullt. Gjithashtu, nëse keni blerë mikrovalore, sigurohuni që ushqimi po nxehet dhe mos i besoni shitësit.

Testimi i stresit

Ky është hapi më i rëndësishëm i cili pothuajse gjithmonë neglizhohet. Nëse jeni duke blerë sistem HiFi, gjithnjë rriteni zërin dhe dëgjoni cilësinë e zërit për disa orë nëse është e mundur. Ky është gjithashtu një test i mirë për ta kontrolluar kohëzgjatjen e baterisë së telefonit ose laptopit. Thjesht hapeni ndonjë video ose audio fajl dhe reprodukojeni atë në një audio nivel maksimal, kjo bëhet pas mbushjes së plotë të baterisë. Nëse keni blerë mikrovalore, vendosni të paktën katër litra ujë dhe ngrohni vazhdimisht derisa të vlojë.

Pajisjet shtesë

Kërkoni pajisjet periferike si telekomanda, AV dhe kablloja e furnizimit, antenat, gypat për ujë dhe kanalizim...

Garancioni

Kërkoni garancion me vulë dhe datë. Pajisjet e përdorura elektronike zakonisht duhet të kenë garancion nga një deri në tre muaj. Mënyra më e mirë për t’i blerë pajisjet e përdorura elektronike është të shoqëroheni nga ndonjë teknik i kualifikuar i cili do t'ju ndihmojë shumë në këtë drejtim.