Tech

Shkencëtarët zhvillojnë embrionin e parë të njeriut-majmun

Shkencëtarët e kanë krijuar me sukses embrionin e parë të njeriut-majmun, duke i hapur rrugën përdorimit të kafshëve për transplantimin e organeve njerëzore. Ky eksperiment u krye në Kinë për t’i shmangur problemet ligjore.

Hulumtuesit në institutin Salk në SHBA dhe Universitetin Katolik Murcia (UCAM) në Spanjë e modifikuan gjenetikisht embrionin e majmunit për t’i çaktivizuar gjenet specifike të përdorura në krijimin e organeve.

Pastaj një grup shkencëtarësh i injektuan qelizat burimore të njeriut në embrionin e majmunit. Nëse do të lihej, embrioni do të rritej në një majmun me qelizat e njeriut, shkruan KOHA Ditore. Megjithatë, në përputhje me standardet etike, shkencëtarët e ndaluan procesin shumë kohë përpara se embrioni të mund ta zhvillonte sistemin nervor qendror. Megjithatë, ekipi u detyrua të udhëtonte në Kinë për ta kryer procedurën, sepse ajo ishte në kundërshtim me ligjin spanjoll.

Estrella Nunez, e cila bashkëpunoi në projekt tha për “El Pais” se "rezultatet janë shumë premtuese", duke theksuar se eksperimenti ishte i nevojshëm si hapi i parë drejt zhvillimit të organeve njerëzore tek kafshët që mund të përdoren në transplantim.

Ekipi i shkencëtarëve i udhëhequr nga Juan Carlos Izpisuaomo e kreu një eksperiment të ngjashëm në vitin 2017 duke i përdorur qelizat njerëzore dhe ato të derrit. Megjithatë, në atë kohë ata nuk arritën t’i mbanin qelizat njerëzore në embrionin e derrit.

Viteve të fundit, Kina është bërë “parajsë” për eksperimentet me gjene. Një hulumtues kinez njoftoi në nëntor të vitit 2018 se ai dhe ekipi i tij e kishin modifikuar gjenin CCR5 të dy binjakëve në përpjekje që ata të bëhen imunë ndaj HIV-it. Në një eksperiment të fundit, hulumtuesit kinezë dhe amerikanë u bashkuan për t’i modifikuar gjenet e 11 majmunëve, duke u dhënë atyre mundësinë e zhvillimit të trurit të njeriut.