Tech

Patentat e Lenovos zbulojnë telefonin slajder me modul të rrumbullakët të kamerës

Tiger Mobiles ka siguruar informacionet rreth dy patentave të kompanisë Lenovo. Të dy patentat flasin për variante të ndryshme të telefonave slajder, ndërsa në mekanizëm është vendosur sistemi i kamerave dhe sensorëve të përparmë, përcjell TechPowerUp lajmin e Tiger Mobiles.

Telefonat e paemëruar duken sikur i përkasin të njëjtës linjë. Në skica, modeli më i dobët i ka dy kamera në pjesën e pasme dhe një kamerë selfie, e cila shfaqet vetëm kur telefoni është në pozicionin slajder.

Image

Telefoni i dytë është i ngjashëm me të parin në pamje, por ka më shumë kamera. Ai i ka tri kamera në pjesën e pasme dhe dy kamera selfie në pjesën e përparme, shkruan KOHA Ditore. Është interesante që dizajni i zgjatjes së kamerës së rrumbullakët në anën e pasme është dukshëm i huazuar nga Motorola. Pajisja në skicë duket si një Moto Z, por me ekran të plotë dhe format të telefonit slajder.

Përveç këtyre patentave për dizajn, nuk ka specifikime konkrete për telefonat e përmendur. Gjithashtu nuk dihet nëse dhe kur Lenovo do ta shndërrojë idenë nga patenta në një produkt specifik që do të jetë në dispozicion në treg.