Tech

Streamingu i pornografisë online prodhon dyoksid karboni sa krejt Belgjika

Video streamingu përbën rreth 60% të totalit të trafikut të të dhënave në internet, që do të thotë se është 'fajtor' për 300 milionë tonelata emetime të dyoksidit të karbonit në vit.

Përqindjen më të lartë të të gjitha video transmetimeve e përbëjnë Netflixi, Hulu dhe shërbimet e tjera për streaming (34%), të pasuara nga pornografia, e cila përbëhet nga 27% e video përmbajtjes së shikuar në internet.

Pornografia online pra është përgjegjëse për pothuajse 100 milionë tonelata emetime të dyoksidit të karbonit në vit. Kjo është në nivelin e shteteve si Belgjika, Bangladeshi apo Nigeria.

Raporti i ri nga think tanku francez The Shift Project (i cili synon t’i kufizojë ndryshimet klimatike dhe varësinë tonë nga lëndët djegëse fosile) i ka zbuluar të gjitha këto informacione.

Thuhet se duhet ta marrim parasysh edhe konsumin digjital kur bëhet fjalë për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë, shkruan KOHA Ditore. Me këtë rast ata u bënë thirrje krijuesve të politikave dhe dizajnuesve të shërbimeve të internetit që t’i marrin parasysh ndikimet mjedisore gjatë dizajnimit të teknologjive të reja digjitale, dhe u bënë thirrje përdoruesve që t’i kenë parasysh masat e kufizimit të emetimeve që rezultojnë nga shikimi i videove në internet përmes parandalimit të reprodukimit automatik dhe transmetimit të videove në rezolucionin më të lartë kur kjo nuk është e nevojshme.

Emetime të CO2-së prodhon energjia elektrike e nevojshme për prodhimin, por edhe për konsumin e pajisjeve digjitale, që nga qendrat e të dhënave e deri tek telefonat tanë të mençur.

Zhvillimi i cilësisë së videos, për shembull në rezolucion 8K, me siguri do t’i rrisë më tej nivelet e emetimit.