Tech

Iphonët e Apple për vitin 2020 do të kenë sensor 3D ToF në anën e pasme

Disa nga modelet e sivjetme të iPhone do t’i kenë tre kamera, por jo edhe sensor 3D ToF. Kjo do të ndryshojë vitin e ardhshëm, pasi që Apple thuhet se i ka kontaktuar prodhuesit e komponentëve kryesorë për sensorë të tillë, raporton GSMArena.

Burimet e brendshme sugjerojnë se sensorët 3D ToF do të shtohen në pjesën e pasme të telefonit që të përmirësohet funksionaliteti i AR dhe do të vazhdohet puna e filluar nga ARKit 2 në softuerin iOS 12 (iOS 13 e sjell ARKit 3).

Përveç kësaj, do të përmirësohen edhe efektet depth, si efektet bokeh dhe efektet e ndriçimit në aplikacionin e kamerës.

Sensori i lartpërmendur do të mund t’i matë distancat deri në 4.5 metra, që është më gjatë se ajo që arrihet nga sensorët në telefonat Android, shkruan KOHA Ditore. Apple i kërkon në mënyrë specifike komponentët VCSEL, të cilat e mundësojnë pulsimin e dritës të cilën e përdorin sensorët ToF.

Modelet ToF (Time of Flight) ofrojnë saktësi më të madhe dhe distancë më të gjatë, dhe në të njëjtën kohë mund ta përballojnë dhe përdorin më mirë dritën e diellit.