Tech

Instagrami do t’i paralajmërojë përdoruesit, të cilëve do t’u mbyllen llogaritë

Instagrami i ka publikuar disa detaje të reja nga politikat e veta të mbylljes së llogarive. Në kuadër të politikave të veta, shërbimi do t’i mbyllë llogaritë të cilat e kanë një shkallë të caktuar të përmbajtjes që i shkel rregullat. Përveç mbylljes së llogarive që e kanë një përqindje të caktuar të përmbajtjes që i shkel rregullat, politika e re e përdorimit gjithashtu do t’i mbyllë edhe llogaritë që i shkelin rregullat brenda një afati të caktuar kohor, raporton Ubergizmo.

Instagrami, kompani kjo në pronësi të Facebookut, thekson se këto ndryshime do të bëjnë të mundur aplikimin më të mirë të politikave të përdorimit të shërbimit, si dhe të jenë më konsistentë në zbatimin e rregullave, kështu që përdoruesit të mund të jenë përgjegjës për gjërat që i postojnë në rrjetin e popullarizuar të ndarjes së fotografive.

Instagrami, gjithashtu, po e prezanton një sistem të ri të njoftimeve, për t'ua bërë me dije përdoruesve se llogaria e tyre është në prag të mbylljes. Këto njoftime, gjithashtu, do t'u ofrojnë përdoruesve mundësinë që të paraqesin ankesë në përmbajtjen që është fshirë, shkruan KOHA Ditore. Kjo do të ofrohet për përmbajtjen që i shkel rregullat për publikimin e lakuriqësisë dhe pornografisë, gjuhës së urrejtjes, sjelljes së dhunshme dhe shqetësimit, shitjes së drogës dhe politikës kundër terrorizmit.

Nëse hetimi zbulon se publikimi i përmbajtjes është hequr gabimisht, Instagrami do ta kthejë përmbajtjen e hequr dhe shkelja do të fshihet nga "dosja" e llogarisë.