Tech

Samsung thuhet se e ka rregulluar Galaxy Fold

Descriptive Text

Samsungu e ka ridizajnuar telefonin e vet fleksibil Galaxy Fold për ta përmirësuar qëndrueshmërinë e ekranit, gjë që ishte një nga vërejtjet kryesore para lansimit të telefonit, sipas Bloomberg.

Njoftohet se së shpejti do të fillojë prodhimi komercial i telefonit, edhe pse Samsungu nuk është ende në gjendje ta konfirmojë terminin e ri të lansimit të pajisjes, raporton The Verge.

Është theksuar se Samsungu e ka krijuar një film mbrojtës për ekranin, i cili tani do të futet në kornizë dhe nuk do të mundë të mënjanohet me dorë prej saj, shkruan KOHA Ditore. Versionet më të hershme që u janë dhënë testuesve kishin filmin i cili dukej si një mbrojtje për ekranin i cili mund të hiqet, ndërsa në fakt mënjanimi e kishte shkatërruar ekranin.

Tani për tani nuk dihet nëse Samsungu e ka ridizajnuar menteshën, e cila e mban ekranin, që krijonte probleme tek ekranet OLED. Gjithçka do të dihet kur Galaxy Fold të kthehet gjatë vitit.