Tech

USB 4.0 vjen në fund të vitit 2020

Edhe pse përdoruesit sapo u mësuan me USB 3.0, 3.1 dhe versionin e fundit 3.2, nuk ka dyshim se shpallja e standardit të popullarizuar ka shkaktuar shumë konfuzion. Tani gjithë kësaj duhet t’ia shtojmë edhe informacionin se USB Promoter Group është në fazat finale të përcaktimit të specifikimeve për USB 4.0. Produktet e para me mbështetjen e USB 4.0 priten vitin e ardhshëm, raporton Guru3D.

USB 4.0 Spec është aktualisht në revizionin 0.7 dhe USB Promoter Group do ta finalizojë atë brenda rreth një muaji. Disponueshmëria pritet në fund të vitit 2020. Ajo që është interesante është se standardizimi USB 4.0 bazohet në teknologjinë Intel Thunderbolt 3 dhe mund të arrijë deri në 40 Gbit/s.

Image

Kjo do të thotë se USB 4.0 do ta dyfishojë atë që aktualisht e arrin standardi më i shpejtë USB 3.2 2x2 (20 Gbit/s). USB Promotor Group e konsideron këtë dallim aq të madh sa që planifikon ta krijojë edhe një logo të re për USB, shkruan KOHA Ditore.

USB 4.0 do të jetë kompatibile me pajisjet ekzistuese USB 3.2, USB 2.0 dhe Thunderbolt 3. Standardi i ri gjithashtu i pranon protokollet si "display port over Thunderbolt 3".