Tech

Huawei livron një milion telefona me HongMeng OS për testim

Pas ballafaqimit me ndalimin amerikan, i cili e përfshin edhe ndalimin e përdorimit të sistemit operativ të Google, Android, Huawei po punon shumë për ta zhvilluar, testuar dhe lansuar sistemin e vet operativ. Sipas China Daily, Huawei tashmë i ka livruar një milion telefona në të cilët është i instaluar OS i ri HongMeng, të cilët tani janë të gatshëm për testim, raporton ChinaDaily.

Firma institucionale brokere Rosenblatt Securities në raportin e saj për zinxhirin e furnizimit të smartphonëve theksoi se Hongmeng OS është kompatibil me të gjitha aplikacionet Android dhe ka funksione të përmirësuara të sigurisë për mbrojtje të të dhënave personale.

Yu Chengdong, CEO i Huaweit për biznesin e konsumit, tha se sistemi i ri operativ do të jetë i gatshëm për lansim jo më herët se në fillim të vjeshtës apo në pranverën e vitit të ardhshëm. Ai gjithashtu vuri në dukje se sistemi i ri operativ do të jetë kompatibil me telefonat, tabletët, kompjuterët, automobilat, televizorët dhe pajisjet e mençura të bartshme, shkruan KOHA Ditore.

Huawei e filloi punën në sistemin e vet operativ qysh në vitin 2012. Kompania kineze ishte e shqetësuar për shkak të dominimit të Androidit dhe e filloi punën në platformën e vet për ta pasur një zëvendësim nëse përballet me ndalesa në të ardhmen. Për këtë qëllim u krijua një ekip i veçantë i cili punon në projektin e sistemit operativ.

Sipas personave që janë të afërt me këtë projekt, Huawei OS bazohet në një mikrokernel që është i adaptueshëm dhe mund të reagojë shpejt ndaj ndryshimeve. Ekipi i dizajnerëve të Huawei gjithashtu i studioi Android dhe iOS dhe mësoi prej tyre.

Pengesa kryesore për Huawei është pjesëmarrja e tregut dhe dominimi i Android dhe iOS, të cilët e përbëjnë pothuajse 99.9% të tregut global, sipas një sondazhi të Gartner vitin e kaluar.

Huawei tashmë e ka trademarkuar në disa vende "Huawei Ark OS" dhe "Huawei Hongmeng". Sugjerohet që HongMeng OS do të përdoret në Kinë, ndërsa emërtimi Ark OS do të jetë për tregun global.