NASA nis me komercializimin e ISS-së, së shpejti u hapen dyert edhe njerëzve të thjeshtë

NASA nis me komercializimin e ISS-së, së shpejti u hapen dyert edhe njerëzve të thjeshtë

12 June 2019 21:53

Drejtuesit e NASA-s njoftuan se do t’i hapin dyert e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) për mundësi më të mëdha tregtare, gjë që do t’u mundësojë kompanive t’i përdorin objektet e stacionit hapësinor, duke përfshirë xhirimin e reklamave ose filmave.

Direktiva e re e përkohshme e NASA-s u mundëson kompanive private ta marrin me qira hapësirën në ISS për një kohë të caktuar për prodhimin, marketingun ose testimin e produkteve të tyre.

NASA gjithashtu do të mundësojë në ISS misione private të astronauteve në kohëzgjatje deri në 30 ditë, në kuadër të aktiviteteve të miratuara komerciale dhe të marketingut të cekura në direktivën e publikuar të premten e kaluar, ndërkohë që misioni i parë planifikohet në vitin 2020. Njoftimi i NASA-s i publikuar tani i hap rrugën edhe misioneve të ardhshme private të popullsisë civile, shkruan KOHA Ditore.

Gjithashtu këtyre kompanive u mundësohet përdorimi i resurseve në ISS për qëllime komerciale, madje edhe duke e përdorur kohën dhe ekspertizën e astronautëve të NASA-s.

Nëse kompanitë dëshirojnë, ato mund t'i dërgojnë edhe astronautët e tyre në ISS, duke filluar nga viti 2020, por të gjitha këto aktivitete vijnë me një çmim të lartë.

Ky është një ndryshim i konsiderueshëm për NASA-n, e cila ka qenë prej kohësh kundër komercializimit të stacionit. Megjithatë, në gusht administratori i NASA-s Jim Bridenstine e formoi një komision i cili i hulumtoi mënyrat e hapjes së agjencisë hapësinore ndaj komercializimit, duke pohuar se kjo mund të sigurojë të ardhura të reja për agjencinë, përcjell KOHA Ditore.

"Ju them se ka interes për një gjë të tillë pikërisht tani. Çështja është nëse kjo është e mundur të bëhet në praktikë. Aktualisht përgjigje për këtë nuk kam, por na duhet dikush që të na japë këshillë për këtë", kishte thënë Bridenstine qysh në gusht të vitit të kaluar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme