Tech

NASA mbështet zhvillimin e sistemit të hidrogjenit kriogjenik për furnizimin e avionëve elektrikë

Descriptive Text

Universiteti i Illinois ka njoftuar se NASA po harton një projekt për ta zhvilluar një sistem qelizash të karburantit të hidrogjenit kriogjenik për t’i furnizuar avionët elektrikë. E financuar nga një kontratë trevjeçare me vlerë prej 6 milionë dollarësh, qendra Center for Cryogenic High-Efficiency Electrical Technologies for Aircraft (CHEETA) do ta hetojë teknologjinë e nevojshme për ta prodhuar një dizajn elektrik praktik për t’i zëvendësuar sistemet konvencionale shtytëse së lëndëve djegëse fosile.

Motori i avionit në të gjitha variacionet e tij e ka revolucionarizuar udhëtimin ajror, por derisa kufijtë e profitit në linjat ajrore janë në një linjë të hollë në këto kohë ekologjikisht të ndërgjegjshme, ka shumë interes që të largohemi nga avionët me lëndë djegëse fosile dhe të shkojmë drejt sistemeve të shtytjes elektrike pa emetim që nuk varen nga nafta dhe çmimet e saj të paqëndrueshme.

Projekti CHEETA është një konsorcium prej tetë institucionesh ku përfshihen Air Force Research Laboratory, Boeing Research and Technology, General Electric Global Research, Universitetin Shtetëror i Ohios, Massachusetts Institute of Technology, Universiteti i Arkansasit, Instituti i Kërkimeve i Universitetit të Daytonit dhe Rensselaer Politeknik Institute. Edhe pse projekti është ende në fazën konceptuale, hulumtuesit e kanë një vizion të fuqishëm të teknologjisë dhe potencialit të saj.

"Në thelb, programi përqendrohet në zhvillimin e një platforme tërësisht elektrike të avionëve e cila përdor hidrogjen të lëngshëm kriogjenik si një metodë për akumulimin e energjisë", thotë Phillip Ansell, asistent profesor në Departamentin e Hapësirës Ajrore në Urbana-Champaign, i cili është hulumtuesi kryesor i projektit. "Energjia kimike e hidrogjenit konvertohet në energji elektrike nëpërmjet një sërë qelizash të karburantit, të cilat e drejtojnë sistemin ultra efikas elektrik të lëvizjes. Kërkesat e temperaturës së ulët të sistemit të hidrogjenit gjithashtu ofrojnë mundësi për ta përdorur superpërçueshmërinë, ose transmetimin e energjisë pa humbje si dhe sistemet motorike me fuqi të lartë.

Image
Skica koncept e një platforme të avionit elektrik i cili përdor hidrogjen të lëngshëm kriogjenik si metodë të akumulimit të energjisë (Foto: Kolegji Grainger i Inxhinierisë / Universiteti i Illinois)

"Kjo është e ngjashme me atë se si funksionojnë MRI-të, apo rezonanca magnetike. Megjithatë këto sisteme të nevojshme elektrike nuk ekzistojnë ende dhe metodat për integrimin e teknologjive të shtytjes elektrike në një platformë të avionit ende nuk janë vërtetuar në mënyrë efektive. Ky program synon ta adresojë këtë hendek dhe të japë kontribute themelore në teknologjitë që do t’i mundësojnë avionët elektrikë të së ardhmes".

Ekipi vëren se ndonëse është bërë përparim, ka shumë probleme themelore që duhen kapërcyer përpara se ta shohim një avion elektrik duke fluturuar në qiell.

"Përparimet në vitet e fundit në makinat dhe transmisionet jo-kriogjenike e kanë sjellë shtytjen elektrike të avionëve komercialë rajonalë më afër realitetit, por sistemet praktike kriogjenike mbeten "kupa e shenjtë" për avionët e mëdhenj për shkak të densitetit dhe efikasitetit të tyre të paparë," thotë profesori i asociuar Kiruba Haran nga Departamenti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Illinois. "Partneritetet që janë krijuar për këtë projekt na pozicionojnë mirë për t’i adresuar pengesat e rëndësishme teknike që ekzistojnë përgjatë kësaj rruge".