Certifikohet telefoni i ri HTC nga segmenti i mesëm

Certifikohet telefoni i ri HTC nga segmenti i mesëm

24 May 2019 15:13

Telefoni HTC i segmentit të mesëm ende i papublikuar, i emërtuar 2Q7A100, u shfaq muajin e kaluar në Geekbench. Jo shumë kohë më pas ai u vërejt edhe në benchmarkun AnTuTu, ndërsa tani është certifikuar nga agjencia NCC në Tajvan. Edhe pse certifikimi nuk zbulon detaje të reja rreth harduerit të telefonit, është ofruar draft dizajni, raporton MySmartPrice.

Diagrami i telefonit zbulon se HTC 2Q7A100 do të duket shumë ngjashëm me modelin Desire 12s, të cilin kompania e lansoi në dhjetor të vitit të kaluar. Pajisja ka korniza relativisht të mëdha në pjesën e sipërme dhe të poshtme. Nga ana tjetër mund të shihen tastet për ndezjen dhe kontrollin e zërit.

Listingjet më të hershme benchmark zbuluan se HTC 2Q7A100 përdor çipset 10nm Snapdragon 710, në kombinim me 6GB RAM. Është konfirmuar rezolucioni Full HD+ prej 2160 x 1080p, me raport të faqeve prej 18:9. Telefoni do ta përdorë sistemin operativ Android 9 Pie, me Sense UI, shkruan KOHA Ditore.

Duke pasur parasysh që HTC sivjet ende nuk e ka lansuar asnjë telefon, 2Q7A100 ka më shumë gjasa të jetë smartfoni i parë i kompanisë për këtë vit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme