Tech

Google Glass kthehet në versionin e ri të Enterprise Edition

Google Glass u prezantua për herë të parë në vitin 2012, ndërsa si pajisje enterprise/biznes debutoi në vitin 2014. Google tani e ka lansuar Glass Enterprise Edition 2, duke premtuar se syzet do të jenë më të shpejta, më të mira dhe më të dobishme. Kompania theksoi se ka marrë shumë reagime nga përdoruesit e biznesit rreth pajisjes, dhe ato janë përdorur për ta përmirësuar edicionin e dytë, raporton Neowin.

Glass Enterprise Edition 2 përdor çipset Qualcomm Snapdragon XR1, i cili është dizajnuar për realitet të përzier. Çipseti ARM ka "CPU multi-bërthamësh" dhe motor AI, i cili do të duhej t’i përmirësojë performancat e AR.

Priten edhe performanca më të mira për kamerë, për funksionet si video streamingu dhe kolaborimi. Përveç kësaj, Google theksoi se Glass Enterprise Edition 2 është më i lehtë për t'u zhvilluar dhe implementuar. Ai e përdor Androidin, që do të thotë se do të jetë i lehtë edhe portimi i aplikacioneve. Tani ofrohet edhe mbështetja për Android Enterprise MDM, shkruan KOHA Ditore.

Syzet e mençura Google Glass Enterprise Edition 2 shiten me një çmim prej 999 dollarësh.