Google ndërpret punën në mbështetjen dual-boot për ChromeOS dhe Windows

Google ndërpret punën në mbështetjen dual-boot për ChromeOS dhe Windows

21 May 2019 11:34

Vitin e kaluar, developerët e Google ChromeOS filluan të punojnë në implementimin e opsionit dual-boot, i cili do t’ua mundësonte pajisjeve Chromebook që ta startojnë edhe Windowsin, përveç ChromeOS të tyre të paracaktuar. Lajmet në lidhje me këtë funksion u paraqitën së pari në prill të vitit të kaluar dhe pastaj në muajt e ardhshëm nuk u shfaqën shumë informacione. Tani, modi "Alt OS" për Chromebook thuhet se është menjanuar, ndërsa arsyeja kryesore janë kërkesat e mëdha për hapësirë për ruajtje, raporton KitGuru.

Alt OS, apo Project Campfire, është një ide e ngjashme me atë që Bootcamp e implementon në iOS. Përdoruesit do të ishin në gjendje ta përdorin programin në ChromeOS për ta konfiguruar particionin në disk ku do të instalohej Windowsi si një sistem operativ sekondar. Me sa duket, opsioni i sipërpërmendur ishte funksional dhe shumë afër publikimit, por u hodh poshtë.

U theksua se modi Alt OS u ndërpre për shkak të sasisë së hapësirës së ruajtjes e cila nevojitej për implementimin e tij. Windows 10 kërkoi 40GB hapësirë në Chromebook ndërsa në të ardhmen do të zinte hapësirë akoma më të madhe (Microsofti njoftoi kohët e fundit se do t’i rrisë kërkesat për ruajtje për instalimin e Windows 10).

Chromebookët përgjithësisht fokusohen në atë që të jenë të hollë, të lehtë dhe i drejtojnë përdoruesit në zgjidhjet cloud për ruajtjen e të dhënave. Si rezultat, një numër i madh i këtyre laptopëve vijnë me më pak se 40GB hapësirë ruajtëse, por me mundësinë e zgjerimit nëpërmjet drajvit ekstern. Kjo është arsyeja se pse opsioni dual-boot për Windows 10 nuk do të ishte i mundur për një numër të madh të pajisjeve Chromebook.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme