Tech

PayPal e ka teknologjinë për luftën kundër ransomware

Descriptive Text

PayPal e ka patentuar tekno - logjinë për ta luftuar ransomware. Të gjithë e dimë shumë mirë se çfarë e karakterizon ransomware, kështu që ky është një lajm vërtet interesant.

Softuerëve shantazhues, të cilët e kriptojnë përmbajtjen e diskut dhe pastaj kërkojnë pagesa të majme shpërblyese mund t’u ketë ardhur fundi. Ato thuhet se mund të ndalohen me një metodë të re të krijuar nga ekspertët e shërbimit planetar të pagesave digjitale, transmeton Koha Ditore.

Zyra Amerikane e Patentave e ka miratuar kështu një patentë të regjistruar nga kompania PayPal për ta ndaluar sulmin përmes programeve shantazhuese malinje. Shtylla e kësaj patente konkrete është teknologjia, që është në gjendje t’i njohë aktivitetet e ransomware në kompjuter. Dhe jo vetëm kaq, por ajo gjithashtu mund ta ndalojë kriptimin e përmbajtjes së diskut në kohë.

E gjithë kjo, natyrisht, është në shërbim të parandalimit të sulmuesve nga "vjedhja" e të dhënave dhe nevoja që të bëhen pagesat e majme.

Ideja e PayPal përbëhet nga përcjellja e të dhënave dhe dokumenteve me të cilat manipulohet në memorien e kompjuterit. Gjithashtu, është i rëndësishëm edhe detektimi i rasteve kur dokumentet janë subjekt i duplifikimit dhe operacioneve me entropi (enkriptim) të lartë.

Kjo është pikërisht mënyra e punës së malwareve të njohura shantazhuese, si WannaCry etj. Zbulimi në kohë i veprimeve të ndryshme malinje në dokumente do të duhej ta mundësojë ndalimin e tyre. Sistemi do të veprojë gjithashtu në bazë të “whitelist” të atyre softuereve që mund t’i kryejnë operacionet e mësipërme.

Pastaj, në rast se ndonjë kopjim dhe enkriptim përpiqet ta ekzekutojë ndonjë program i panjohur, atëherë kjo do të ndalohej menjëherë. Në të njëjtën kohë, kopjet e të gjitha dokumenteve potencialisht të prekura do të dërgoheshin në ré, në një vend më të sigurt, ku do të krijoheshin kopjet e tyre backup.

Ky nuk është sistemi i parë i tillë që mbështetet në një teknikë të ngjashme detektimi. Megjithatë, në PayPal pretendojnë se ai do të jetë plotësisht i automatizuar dhe se nuk do të kërkojë shumë konfigurim manual për instalim.