Samsungu tërheq të gjitha pajisjet Galaxy Fold që u ishin dhënë gazetarëve për testim

Samsungu tërheq të gjitha pajisjet Galaxy Fold që u ishin dhënë gazetarëve për testim

25 April 2019 11:10

Një ditë pasi e publikoi njoftimin zyrtar për shtyrjen e lansimit të telefonit të parë të palosshëm, Samsungu ka filluar edhe tërheqjen globale të pajisjeve Galaxy Fold të cilat u janë dhënë mediave dhe gazetarëve të IT për testim. Sipas njoftimit, Samsung u ka kërkuar gazetarëve që t’i kthejnë ekzemplarët testues me qëllim që të mund ta kryejnë një analizë të detajuar të problemeve që u shfaqën tek ekranet e pajisjes, raporton GSMArena.

E gjithë kjo fiasko u krijua pasi disa përdorues e larguan shtresën mbrojtëse nga ekrani, gjë që bëri që ekrani të mos funksiononte siç duhet. Të tjerët raportuan fryrje në ekran, gjë që e bëri gjysmën e ekranit të papërdorshëm. Sido që të jetë, telefoni i ka disa probleme me qëndrueshmëri dhe Samsungu ka vendosur ta adresojë problemin para se Galaxy Fold të përfundojë tek një numër më i madh i përdoruesve.

Së fundi, kompania e Koresë Jugore njoftoi se do ta shtynte përkohësisht lansimin e telefonit. Samsungu nuk do ta anulojë lansimin, kështu që ata që e kanë para-porositur telefonin do ta marrin të parët pajisjen e re, shkruan KOHA Ditore.

Samsung thekson se tani fokusi kryesor i kompanisë është përmirësimi i pajisjes dhe mundësimi i eksperiencës më të mirë të mundshme për përdoruesit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme