Truri në rritje i fëmijëve ruan 12.5 milionë bitë informata rreth gjuhës

Truri në rritje i fëmijëve ruan 12.5 milionë bitë informata rreth gjuhës

21 April 2019 08:23

Disa fëmijë mësojnë gjuhë të shumta, por studiuesit vlerësojnë se përvetësimi i një gjuhe të dytë ose të tretë nuk kërkon aq shumë të dhëna. Sipas një studimi të ri, truri i fëmijëve i ruan 12.5 milionë bitë informata rreth gjuhës midis lindjes dhe moshës 18-vjeçare. 

Zotërimi i gjuhës angleze nuk është i integruar në ne. Fëmijët e përvetësojnë atë me kalimin e kohës. Për ta përcaktuar këtë aftësi të shquar kognitive, shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, zhvilluan modele kompjuterike për t’i analizuar proceset e mësimit të semantikës dhe sintaksës së gjuhës, si dhe për ta përvetësuar një fjalor të mjaftueshëm. 

Analiza tregoi se deri në kohën kur fëmijët i mbushin 18 vjeç, ata i kanë përvetësuar 12.5 milionë bitë informacione të lidhura me gjuhën. Shumica e këtyre të dhënave, thonë hulumtuesit, lidhen me fjalorin. "Shumë hulumtime për mësimin e gjuhëve përqendrohen në sintaksën, si renditja e fjalëve", tha Steven Piantadosi, asistent profesori i psikologjisë në UC Berkeley, në një njoftim për shtyp, shkruan Koha Ditore.

"Por studimi ynë tregon se sintaksa paraqet vetëm një pjesë të vogël të mësimit të gjuhëve dhe se vështirësia kryesore është të mësuarit se çfarë nënkuptojnë kaq shumë fjalë". 

Puna e Piantadosit dhe kolegëve të tij – e publikuar ditë më parë në revistën “Royal Society Open Science” - sugjeron që nxënësit e gjuhëve duhet t’i përvetësojnë disa bitë të informatave kur mësojnë fjalë të reja. 

Çdo fjalë e re e nxit nxënësin të bëjë një varg pyetjesh: A është pinguini zog? A fluturon? Deri në kohën kur fëmija e ka përvetësuar gjuhën angleze, ai ose ajo e ka grumbulluar një numër mbresëlënës total të informacionit të lidhur me gjuhën - ekuivalentin e shumë të dhënave binare, ose bitëve dhe bajtëve, të shkruara si një seri e njëshave dhe zerove. 

"Kur mendoni për fëmijën i cili duhet t’i mbajë mend miliona zero dhe njësha - në gjuhë – kjo do të thotë se ata duhet të kenë mekanizma goxha mbresëlënës të të mësuarit", tha Piantadosi. Fokusi i nxënësve njerëz të gjuhëve në semantikë, në vend të sintaksës, dallon nga programet folëse kompjuterike si Alexa, Siri dhe Google Assistant. "Kjo me të vërtetë e thekson një ndryshim midis nxënësve makina dhe nxënësve njerëz", tha Piantadosi. 

"Makinat e dinë se cilat fjalët shkojnë së bashku dhe ku shkojnë ato në fjali, por dinë shumë pak për kuptimin e fjalëve". Sigurisht, disa fëmijë përvetësojnë gjuhë të shumta, por hulumtuesit vlerësojnë se përvetësimi i një gjuhe të dytë ose të tretë nuk kërkon aq shumë të dhëna. 

"Domethënia e shumë emrave të zakonshëm si 'nënë' do të jetë i ngjashëm në të gjitha gjuhët dhe kështu nuk do të duhet t’i mësoni dy pjesë të informatave për kuptimet e tyre dy herë", tha Piantadosi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme