Tech

Intel heq dorë nga teknologjia 5G për telefonat

Pas një marrëveshjeje befasuese midis Apple dhe Qualcomm, Inteli gjithashtu çuditërisht njoftoi se nuk do të përpiqet të krijojë dhe të prodhojë modemë 5G për telefona. Apple kishte synuar ta zëvendësonte Qualcommin me Intel, kur bëhet fjalë për modemët 5G për pajisjet iPhone, por problemet me zbatimin e teknologjisë 5G janë arsyeja se pse teknologjia nuk do të jetë në iPhone e sivjetshëm, raporton Engadget.

Në njoftim, Inteli ka sqaruar se nuk pret të prezantojë produkte me modem 5G në segmentin e smartphonëve, duke përfshirë edhe ato që fillimisht ishin planifikuar për lansim në vitin 2020. CEO i kompanisë, Bob Swan, theksoi: "Jemi shumë të ngazëllyer për mundësitë që i sjell 5G dhe zbatimi i rrjetit në cloud, por në fushën e biznesit të modemëve të smartfonëve, u bë e qartë se kompania nuk e ka asnjë mënyrë të qartë të fitimeve dhe ndonjë rezultat pozitiv", shkruan KOHA Ditore.

Nëntorin e kaluar Inteli theksoi se po përshpejtonte zhvillimin e teknologjisë së modemëve 5G ndërsa gjatë CES-it të sivjetëm i ka paraqitur edhe disa plane në fushën e depërtimit në këtë segment. Tani kompania do të vazhdojë t’i zgjerojë aftësitë e veta për 4G dhe 5G në fushën e kompjuterëve, iOT dhe pajisjeve të tjera.