Tech

Chrome 74 beta përkrah dark mode në Windows

Google e ka publikuar versionin e parë beta për Chrome 74, i cili vjen me mbështetjen për Windows Dark Mode. Shfletuesi tani do ta lexojë automatikisht temën e vet më të errët, nëse përdoruesi e aktivizon "Dark" në konfigurimet e platformës, raporton 9to5google.

Përveç shtimit të temës së errët, Chrome 74 do ta bëjë browserin më të qasshëm për ata përdorues që vuajnë nga nauzea gjatë lëvizjes. Shfletuesi do të mund t’i urdhërojë faqet që t’i respektojnë preferencat e përdoruesve bazuar në sistemin operativ kur bëhet fjalë për lëvizjet dhe animacionet, shkruan KOHA Ditore.

Nëse caktohet opsioni "Remove animations" ose "Reduce motion" në iOS, Android, Windows apo platformën Mac, shfletuesi do të mund të sigurohet që faqja e cila vizitohet vërtetë të mos reprodukojë video ose të mos inicojë efekte vizuale të cilat mund të shkaktojnë marramendje dhe nauze. Megjithatë, kjo do të funksionojë vetëm në sajtet që zgjedhin të krijojnë alternativa më pak invaduese për faqet e tyre më dinamike.