Tech

Microsoft ua mundëson Insajderëve dyqanin me ekstensione për Edge

Descriptive Text

Siç e dimë prej më herët, Microsofti do ta përpunojë browserin e vet Edge dhe do ta ofrojë atë të bazuar në Chromium (engine me burim të hapur të cilin e përdor Google për Chrome). Kompania nuk e ka paralajmëruar ndonjë kornizë kohore gjatë së cilës Edge i bazuar Chromium do të jetë në dispozicion, por ekstensionet e zbuluara kohët e fundit sugjerojnë se ndryshimi nuk është larg, raporton WindowsReport.

Dyqani Edge Insider Add-on, me mbi 80 ekstensione, u zbulua nga ana e përdoruesit të Twitterit WalkingCat. Në grupin e parë të ekstensioneve përfshihen AdBlock, Avast Online Security, Grammarly, Honey, LastPass, Pinterest Save Button etj. Dyqani i grupon këto ekstensione në kategori të cilat aktualisht e përfshijnë: Adblockers, Education, Social and Entertainment, Shopping and Productivity.

Ashtu si në Chrome, përdoruesit mund të klikojnë në add-on për të marrë më shumë informacione dhe për ta instaluar atë në browserin e tyre. Windows Insiderët të parët do të kenë qasje në këto vegla, për të cilat supozohet se do të jenë në dispozicion për Edge kur Microsofti të vendosë ta publikojë browserin e bazuar në Chromium, shkruan KOHA Ditore.

Microsofti më herët vuri në dukje se preview build për Edge të bazuar në Chromium do të jetë në dispozicion në fillim të vitit 2019 për Windows 7, Windows 8.1 dhe Windows 10. Kompania planifikon gjithashtu ta sjellë këtë browser edhe në MacOS.