Tech

Shitja e kufjeve pa tel do të arrijë në 129 milionë në vitin 2020

Counter Point Research e ka publikuar një raport mbi të ardhmen e industrisë së kufjeve pa tel. "Tregu global për kufjet e vërteta pa tel do të arrijë në 129 milionë njësi deri në vitin 2020", sipas raportit më të fundit të kompanisë hulumtuese, përcjell GSMArena.

Kompania ia atribuon këtë rritje pritjes së madhe për gjeneratën e re të kufjeve AirPods, të cilat priten së shpejti dhe do të promovohen në mënyrë agresive nga Apple, për t’i kompensuar shitjet e fundit të dobëta të pajisjeve iPhone. Në të njëjtën kohë, CPR pret që Apple AirPods të shiten në rreth 35 milionë njësi, gjë që do ta përbëjë rreth 75% të tregut të përgjithshëm të kufjeve pa tel.

Image

Pritet që Samsungu (i cili sapo i ka lansuar Galaxy Buds), Bose, Jabra, Huawei, Bragi dhe LG do t’i rrisin edhe më shumë shitjet e këtyre pajisjeve, ndërkohë që trendit do të duhej t’i bashkohet edhe Google, Amazon dhe Plantronics, shkruan KOHA Ditore.

Asistentët e mençur në këtë lloj të pajisjeve të bartshme do ta rrisin më tej tregun, ndërkohë që në të njëjtën kohë do t’i përmirësojnë funksionet e tjera të dobishme si operimi pa duar, përkthimi në kohë reale, monitorimi i informatave vitale shëndetësore etj.

Ata që do të përfitojnë nga zhvillimi i kësaj pjese të industrisë janë prodhuesit e baterive litium-jon, si dhe prodhuesit e mikrofonave, sensorëve, çipave dhe komponenteve të vogla për drajverët e zërit.